Bota

BE ndryshon qëndrim mbi çmimin tavan për gazin!

Bashkimi Europian është i gatshëm të diskutojë çmimin tavan në importet e gazit, për të shmangur rritjen e madhe të çmimeve të energjisë. Kjo u deklarua nga shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Çmimi tavan është maksimali i lejuar ligjërisht në një shtet. Komentet e zyrtares së lartë para Parlamentit Europian dhanë shenja të ndryshimit të tonit në kontinentin europian. Kjo pasi Gjermania ka shprehur shqetësime se vendosja e çmimeve tavan mund të devijojë furnizimet në Europë.

Gjiganti rus i energjisë, Gazprom bën të ditur se do të rikthejë eksportet e gazit përmes Austrisë, kryesisht në Itali. Kompania mori vendim të rikthejë furnizimet, pas pezullimit të tyre në fundjavë, kur përmendi disa sfida me rregullatorët. Gazprom njofton se me Italinë gjetën zgjidhje për shitjen e gazit, pas disa ndryshimeve në rregulloret e Austrisë.

Sasia e gazit rus që hyn në Itali tani përbën 10 për qind të importit total të vendit fqinj, në krahasim me 40 për qind që ishte vite më parë. Shifrat jepen për agjencinë e lajmeve Reuters nga një burim që ka dijeni për këtë situatë. Sipas të njëjtit burim, Italia ka rritur sasinë e gazit që importon nga Algjeria dhe vendet nordike. Në mënyrë të konsiderueshme, Gazpromi ka zvogëluar sasinë e gazit që çon në vendet e Bashkimit Europian. Perëndimi e konsideron si hakmarrje ndaj sanksioneve.

Çmimet në Gjermani do të vazhdojnë të rriten në muajt në vazhdim. Në këtë përfundim del një sondazh i kryer nga Instituti ifo. Sipas të dhënave, “të gjitha kompanitë e ushqimit planifikojnë t’i rrisin çmimet”. Ekonomistët e Mynihut bënë të ditur se edhe ato të energjisë e gazit do të vazhdojnë të rriten. Situatë e ngjashme edhe në industritë e tekstilit e të pajisjeve elektronike e referuar ekspertëve gjermanë, valës së inflacionit, nuk po i shihet ende fundi në Gjermani.