Rajoni

BE nuk humb kohë, publikon aneksin e zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi!

Në formë të shkruar, Bashkimi Europian publikon marrëveshjen/planin e zbatimit të arritur dje në Ohër të Maqedonisë së Veriut, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç.

1. Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes e këtë Aneks dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja e Aneksi, në mënyrë të përshtatshme e në mirëbesim.

2. Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës e Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për të konsideruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi.

3. Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

4. Për të zbatuar Nenin 7, Kosova menjëherë nis negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e rregullimeve e garancive specifike, që sigurojnë nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Kjo në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.

5. Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet e mbikqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.

6. Për të zbatuar Nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh e ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

7. Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur.

8. Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon rendin e zbatimit të tyre.

9. Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

10. Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

11. Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i detyrimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset përkatëse të anëtarësimit në Bashkimin Europian e për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.