Bota

BE përshëndet “PO”-në e liderëve finlandezë mbi anëtarësimin e Finlandës në NATO!

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel përshëndeti njoftimin, sipas tij “historik”, të liderëve finlandezë lidhur me mbështetjen për anëtarësimin në NATO, si një nxitje të rëndësishme për sigurinë europiane. Në një postim në Twitter, shkruan:

Uniteti dhe solidariteti i NATO-s dhe Bashkimit Europian, nuk kanë qenë kurrë kaq pranë. Në këtë kohë kur Rusia po sulmon Ukrainën, ky është një sinjal i fuqishëm parandalimi.

Reagimi i Michel-it vjen pasi presidenti dhe kryeministrja finlandeze u shprehën sot në favor të anëtarësimit në NATO dhe “pa vonesa” duke specifikuar se “vendimi i vendit nordik do t’i njoftohet organizatës ditën e dielë, më 15 maj”. Presidenti Sauli Niinisto deklaroi:

Anëtarësimi në NATO do të forconte sigurinë e Finlandës. Si një anëtare e Aleancës Veri-Atlantike, Finlanda do të forconte aleancën në tërësi.

“Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesë”, – theksuan Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin, në një deklaratë të përbashkët.

Po ashtu, ishin disa tregues që sinjalizonin se Finlanda, vend që ndan një kufi prej 1 mijë e 300 kilometrash me Rusinë do të aplikonte për anëtarësim në NATO nën dritën e pushtimit rus të Ukrainës, që vijon prej 24 shkurtit. Mbështetja e kreut të shtetit dhe shefes së qeverisë finlandeze, përkrahje kjo e shpallur në një deklaratë të përbashkët, e bën edhe më të mundshme që Finlanda të aplikojë për anëtarësim në aleancën ushtarake, pas dekadash qëndrimi zyrtarisht neutrale.

Ka pasur një ndryshim drastik në opinionin publik drejt anëtarësimit në NATO që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Në një sondazh të fundit, 76% e të anketuarve në Finlandë ishin në favor të një lëvizjeje të tillë. Gjithashtu, disa parti politike kanë sinjalizuar mbështetjen e tyre. Të tjera vende nordike, të tilla si Danimarka, Norvegjia dhe Islanda janë anëtare të NATO-s që nga themelimi i saj, në vitib 1949. Kohët e fundit, po për shkak të agresionit të Moskës ndaj Ukrainës fqinje, edhe Suedia po e mendon seriozisht hyrjen në NATO.