Bota

BE propozon ngrirje për 6 muaj të tarifave me Amerikën

Brukseli zyrtar sinjalizoi gatishmërinë për kompromis lidhur me një mosmarrëveshje mbi tarifat e tregtisë me Shtetet e Bashkuara. Për revistën gjermane “Der Spiegel”, zv.Presidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis deklaroi:

Ne kemi propozuar të pezullojmë të gjitha tarifat reciproke për gjashtë muaj, me qëllim gjetjen e zgjidhjes për negociatat. Kjo do të krijonte frymëmarrje të nevojshme për industritë dhe punonjësit në të dy anët e Atlantikut.

Propozimi i zyrtarit europian shkon përtej pezullimit 4-mujor për të cilin u ra dakord muajin e kaluar ndërsa dërgohet mesazhi se Brukseli është gati për kompromis.

Gjithashtu, Dombrovskis bëri të ditur se Bashkimi Europian do të monitorojë me kujdes veprimet e shefit të Shtëpisë së Bardhë, Biden, i cili si pjesë të politikës së tij ekonomike ka propozuar rregulla më të forta për zbatimin e ligjit të ashtuquajtur “Bli Produkte Amerikane”. Ky ligj u hartua e miratua me qëllimin që të mbështesë kompanitë amerikane.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump vendosi tarifa mbi importet e çelikut dhe aluminit nga Europa. Në të njëjën linjë veproi edhe Bashkimi Europian që si kundërpërgjigje vuri tarifa mbi uiskin, xhinset e motoçikletat nga Amerika.

Fillimisht, ata që janë përgjegjës për Politikën Tregtare në Uashington patën sinjalizuar se administrata e re e presidentit Joe Biden do t’i ruante tarifat e paraardhësit republikan Trump.