Aktualitet

BE: Synojmë të krijojmë një certifikatë globale të vaksinës COVID-19!

“Komisioni Europian po përgatitet një certifikatë digjitale e vaksinës së koronavirusit që pritet të njihet globalisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH. Këtë e bëri të ditur numri dy i Komisionit Europian, Marosh Shefçoviç, ndërsa vuri në dukje se “së pari, certifikatat e vaksinës duhet të përdoren për qëllime mjekësore”.

Shefçoviç sugjeroi se “pasi sistemi i regjistrimit të vaksinimit të jetë funksional mund të vendoset për përdorime të tjera të regjistrave elektronikë të vaksinimit si për udhëtimet mes vendeve të BE-së e jashtë Bllokut”. Ideja do të diskutohet nesër në një samit virtual të shteteve të Unionit.

Numri dy i Komisionit Europian Shefçoviç njoftoi se deri më tani janë administruar 40.7 milion vaksina COVID-19 dhe 300 milion doza të tjera do të shpërndahen në tremujorin e dytë të vitit. BE ka nënshkruar marrëveshje me gjashtë kompani bioteknologjike, respektivisht me Pfizer-BioNTech, Moderna, AstraZeneca, CureVac, Johnson&Johnson dhe Sanofi/GlaxoSmithKline, për blerjen e rreth 2.6 miliardë dozave të vaksinës COVID-19.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, në muajin janar propozoi certifikatën e vaksinimit COVID-19 për udhëtime në të gjithë BE-në në përpjekje për të shpëtuar sezonin e ardhshëm turistik.