Sociale

Moti i keq ‘pushton’ Shqipërinë, sot as çadra s’të bën punë nga rrebeshet dhe stuhitë e forta me origjinë nordike

Sot vendi ynë do të jetë nën pushtetin e motit të keq. Depërtimi i një mase ajrore të ftohtë nga veriu i Europës drejt vendit tonë do të sjellë vranësira dhe reshje në të gjithë territorin sot.

Herë pas here do të kemi rrebeshe shoqëruar me ministuhi të forta ere dhe shkarkesa elektrike.

Sipas parashikimit të MeteoAlb, në zona të izoluara priten stuhi breshëri. Nuk do të mungojnë gjithashtu intevalet me kthjellime, kryesisht në Ultësirën Perëndimore. Megjithatë moti mbetet i paqëndrueshëm pothuajse gjatë gjithë ditës ku vranësirat dhe rrebeshet e shiut do të jenë dominante.

Temperaturat e ajrit do të ulen ndjeshëm duke luhatur vlerat ditore nga 9°C deri në 31°C.

Era do të fryjë mesatare dhe e fortë me shpejtësi mbi 50 km/h nga drejtimi verior dhe veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim mbi 4 ballë.