Celebrities Pardon My French

Beniada Nishani flet për rrugëtimin në “BBV” dhe zbulon projektet e saj në Shqipëri!

E ftuar ditën e sotme në “Pardon My French” ishte Beniada Nishani, një nga ish-banoret e “Big Brother Vip Albania”. Shumë e komentuar dhe e dashur, një nga finalistet e shtëpisë më të famshme në Shqipëri, dha një intervistë speciale ku u shpreh mbi rrugëtimin e veçantë dhe eksperiencën e paharrueshme që ajo përjetoi katër muajt e fundit.

Teksa u shpreh se ky Big Brother ka qenë eksperienca më e bukur e jetës së saj, Beniada na tregoi se i mungojnë kërcimet, momentet e bukura, surprizat dhe shumë e shumë të tjera. Lidhur me çmimin që fitoi si një nga katër finalistet, Beniada tregoi se do ta investojë mirë në diçka në karrierën e saj. Por çfarë konkretisht dhe cila është dëshira e Beniadës për fushën profesionale?!

Kam qejf të hap një ‘Capsule Collection’, diçka për veshjen për lingerie. Është shumë e rëndësishme çfarë kemi poshtë veshjes.

Komentet pozitive ishin të panumërta, por duket se edhe ato negativet nuk kanë munguar. Lidhur me to, Beniada u shpreh se e ndihmojnë të përmirësohet, e bëjnë të luftojë më shumë. Një moment që tërhoqi vëmendjen, ishte teksa u shpreh për banorët e tjerë të “BBV”, pasi edhe pse tregoi që ka shumë miq, Beniada u duk mjaft me rezerva teksa shprehej për ta.

Sigurisht kam fituar miq. Por do shikoj pas kamerës se si do jenë ata sepse fjala mik është shumë e rëndësishme.

Beniada u shpreh gjithashtu edhe për një nga çiftet e formuar brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, pikërisht për Beatrix dhe Donald dhe na tregoi si e ka parë ajo përmes syve të saj këtë raport.

Pashë brenda shtëpisë nga ana emocionale, shumë emocione. Pashë një çift, pashë një vajzë që emocionohej që shikonte një djalë, me shkëlqim, me sytë plotë me lotë. Nuk mendoj se kjo është aktrim… Donaldi u mërzit që nuk erdhi Trixa, e pashë që u mërzit shumë… Për mua ka qenë tërheqje fizike, por ndonjëherë nuk mjafton.

Edhe pse e njohëm brenda shtëpisë së “Big Brother Vip Albania”, Beniada kishte një karrierë të suksesshme edhe më përpara. Por meqenëse, ajo e zhvilloi atë në Itali, sot në Top Albania Radio, Beniada na foli për rrugëtimin e saj profesional para hyrjes në “BBV”.

Karriera ime ka filluar nga konkursi Miss Italia. Kam filluar të punoj si modele, por nuk më interesonte vetëm bota e modës, por edhe të bëja kurse të tilla si anglisht apo aktrim. Fotografitë e para nuk na i kanë paguar.

Ndërkohë, ajo gjithashtu na zbuloi se ka vendosur të qëndrojë këtu, në vendin e saj në Shqipëri dhe u shpreh se dëshiron ta fillojë karrierën e saj në vendin e vetë. E teksa u shpreh se për arsye profesionale do të shkonte edhe në Itali, Beniada na zbuloi diçka që ndoshta nuk na e kishte marrë mendja.

Shpresoj që një ditë të vijë edhe radha imë në Sanremo, si moderatore shqiptare. Të tregojmë në të gjithë botën se kush jemi ne!