Aktualitet Rajoni

Beograd, konferenca e radhës e “Open Balkan”!

Në Serbi sot zhvillohet konferenca e radhës e “Open Balkan”, në mjediset e Parlamentit, në prani të të dërguarve të Bashkimit Europian e të Shteteve të Bashkuara: Mirosllav Lajçak e Gabriel Escobar. Ndërkaq, kryeministri Rama e zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitrov do t’i bashkohen online.

Tirana, Beogradi e Shkupi janë pjesë e nismës që në Ballkanin Perëndimor nuk është përqafuar nga Kosova, Mali i Zi e Bosnje-Hercegovina, pavarësisht thirrjeve për të marrë pjesë, në iniciativën e përshkruar si ekonomike e jo politike.

Në Prishtinë, qeveria Kurti nuk e ka fshehur qëndrimin se “iniciativa është nismë pa vizion për rajonin”. Por, pavarësisht refuzimit, Rama e Vuçiç kanë nënvizuar se dyert janë të hapura. Samiti i radhës do të jetë në dhjetor në Tiranë e përshkruhet si i rëndësishëm pasi do të bëhen bilancet e arritjeve të deritanishme e pritet të nënshkruhet memorandumi i lejeve të punës.

Ndërkaq, më 4 nëntor, Rama-Vuçiç e Dimitrov premtuan se pas një viti e gjysmë, Serbia-Shqipëria-Maqedonia e Veriut nuk do të kenë më asnjë pengesë në kufi për njerëzit e tyre dhe se do të kalojnë lirisht në këto tre shtete. Shefi i qeverisë shqiptare përsëriti se nisma “Open Balkan” nxit zhvillimin ekonomik e është gjithëpërfshirëse për të gjitha vendet e rajonit, edhe pse aktualisht i janë bashkuar vetëm tre prej tyre.

Procesi i Berlinit është proces që pasi vendosi një kornizë kriteresh, mbeti në rrugë nga një samit në tjetrin çdo vit dhe çdo vit e më qartësisht në pamundësi për të zbatuar ato që thuhen është krijuar kjo nismë që është vetëm një njësi  e zbatimit të procesit të Berlinit duke përshpejtuar dhe monitoruar zbatimin. Ballkani i Hapur është për të 6 vendet dhe ndryshe nga Procesi i Berlinit nuk merret dot peng nga asnjë vend. Nuk mund të rrimë si një karikaturë e Këshillit Europian. Nisma është e të gjithëve, por Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, nuk do të presin sa t’u mbushet mendja të tjerëve. Kjo është një mundësi ekonomike për të gjithë dhe nevojë për fermerët, studentët e qytetarët tanë.