Kreu i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç kritikon kryeministrin Kurti, për deklaratën se nuk do të lejonte vizitën e presidentit serb, Vuçiç në Kosovë. “Kush është Kurti që ta përcaktojë dhe t’i japë leje për vizita presidentit, kur ka marrëveshje të nënshkruara që rregullojnë qartë këtë çështje?”, – pyeti Petkoviç. Vuçiç shpreson të mund të vizitojë Kosovën, deri në fund të vitit.
Dje në një intervistë, Kurti tha se duke marrë parasysh rrethanat aktuale, Vuçiç nuk do të ishte person i dëshiruar në Kosovë.
Nëse kemi parasysh njeriun, i cili thotë se masakra e Reçakut është fabrikim dhe asnjëherë nuk e ndryshoi këtë gjë, unë nuk mendoj që do të duhej të vinte në Republikën e Kosovës.
Më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.
Petkoviç pretendon se Albin Kurti nuk pyetet kur vjen puna për vizitat.
Në një tjetër zhvillim, në orët e para të ditës së sotme u dogjën edhe tre makina me targa RKS- Republika e Kosovës dhe që u përkasin banorëve të kombësisë serbe në veri të Kosovës. Sipas burimeve zyrtare, një u dogj në Zveçan dhe dy të tjera në Mitrovicën e Veriut. Policia theksoi:
Sikurse edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Ky është rast i përsëritur pas atij të një dite më parë kur flaka iu vu dy autoveturave me targa RKS, po në pronësi të serbëve në veri. Në fund të vitit të kaluar, në veriun e Kosovës u rritën tensionet për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës që të gjitha mjetet me targa ilegale të lëshuara nga Serbia t’i konvertonin ato në targa RKS.
Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë patën ngritur barrikada në veri. Por, barrikadat u hoqën disa ditë më vonë kur ish-policit Dejan Pantiç iu ndryshua masa e sigurisë, nga paraburgim në arrest shtëpie.
Ndërkohë, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian ranë dakord për zgjidhjen e çështjes së targave.