Rajoni

Beogradi në alarm, raportime kërcënuese për bomba në ura e qendra tregtare!

Pas raportimeve kërcënuese për bomba të vendosura në shkollat fillore të Beogradit, pasditen e 16 majit arritën kërcënime të reja se ishin vendosur bomba në urat në Beograd, si dhe në qendrën tregtare “Stadiumi” (Stadion), konfirmoi Ministria e Punëve të Brendshme për Radio Televizionin e Serbisë (RTS).

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se Ura e Brankos, Ura e Gazelës, Ura e re hekurudhore, si dhe Ura e Pançevës janë ndër lokacionet ku janë marrë raportimet për bomba.

Raportimi për bombë ka arritur edhe në qendrën tregtare “Stadiumi” në Beograd, ku në orën 16:30 është caktuar ndeshja mes KF Vozhdovcit dhe KF Partizanit, transmeton RTS-ja.

Raportimet për bombat e vendosura kanë arritur, në mëngjesin e 16 majit, në 97 shkolla fillore dhe të mesme të Beogradit, ndërkaq pas verifikimeve në një numër të madh shkollash është konstatuar se njoftimet ishin të rreme, njoftoi Ministria e Arsimit e Serbisë.

Në muajt e fundit, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, objektet publike në Beograd kanë qenë ne fokus të raportimeve të rreme për bomba.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë më herët kishte njoftuar se për shkak të raportimeve për bomba, do të kërkojë ndihmë përmes bashkëpunimit policor operacional ndërkombëtar për të marrë informacione për urdhëruesit, organizatorët dhe zbatuesit e këtij krimi.

Deri më tani, autoritetet në Serbi nuk kanë bërë të ditur se kush është përgjegjës për këto raportime të rreme.

Është thënë se kërcënimet për bombat e dyshuara të vendosura vinin nga jashtë, me e-mail, nga një shërbim i koduar, i cili ndryshe nga shërbimet e tjera, nuk ruan të dhëna.