Aktualitet

Berisha akuza Bashës se qëndron pas basteve në Qipro/PD e quan “mashtrues”!

Nga Lezha ku ndodhej për 31-vjetorin e themelimit të degës së PD-së në këtë qark, ish-kryeministri Sali Berisha hodhi të tjera akuza të rënda ndaj Lulzim Bashës. Sipas Berishës, “Basha qëndron pas kompanive të basteve në Qipro” dhe “ka mbështetje nga Tirana, Beogradi e Prishtina”.

Sot ka një angazhim total të Beogradit kundër shqiptarëve. Shihni projektin “Ballkani i Hapur”, nga Alfa te Omega është projekt kundër shqiptarëve. Shihni studiot televizive, përfaqësuesit e Beogradit në Tiranë e në Prishtinë si përfaqësohen. Dy miq më treguan dy javë më parë se kur ndodhi vrasja në Bllok, Edi Rama vendosi ndalimin e basteve. Por të kujt ishin bastet? Ishin të Lul Bravës. Lul Brava i dërgon të dërguarin e tij special, Dushanin në Prishtinë, i tha hajde me vrap dhe më zgjidh problemin! Absolutisht! Këtë ua ka thënë Edi Rama direkt, dy personave. U thotë se në Qipro, 80 përqind pronar i kompanisë ishte Lulzim Basha me emrin e të shoqes. Pra, e kuptoni se ku kemi qenë ne? Se kush na ka drejtuar?

Partia Demokratike reagoi pas këtyre akuzave, duke i konsideruar “gënjeshtra”, ndërsa Berishën e cilëson “mashtrues kronik”.

I braktisur nga demokratët, me hallin qe sa vjen dhe i rritet, Sali Berisha vjen vërdallë nëpër Shqipëri duke treguar gënjeshtra. Demokratët dhe shqiptarët e panë më 8 janar fytyrën e vërtetë të Sali Berishës, urdhëruesit të dhunës mbi PD. Demokratët dhe shqiptarët nuk kanë kohë për të humbur me një mashtrues kronik. Demokratët kanë zgjedhur të ardhmen, shqiptarët duan dhe meritojnë një jetë më të mirë.

Ndërkaq, po në Lezhë, ish-kryeministri hodhi të tjera akuza:

Sot jemi i vetmi vend, ku kreu i qeverisë, kreu i Meduzës, mendon se do mbajë peng pluralizmin në Shqipëri. Mendon dhe beson duke marrë peng Lulzim Bravën, do të mund të vazhdojë të shkelmojë mbi të drejtat e shqiptarëve, mbi interesat e shqiptarëve.

Më tej foli për ngjarjet e 8 janarit e përsëriti se “ndërhyrja nga policia erdhi me urdhër nga Beogradi”.

Edi Rama rrethoi Lulzim Bravën, pengun e tij, jo vetëm me 8 oficerë të Gardës, me në krye komandantin e rojes së personaliteteve, por Edi Rama i pajisi ata me të gjitha mjetet e dhunës të një policie agresive. Çfarë ndodhi? E shndërroi selinë e PD në një strofull krimi dhe kriminelësh, të cilët vendin e kishin në qeli dhe vetëm në qeli. Më 8 janar, në një skenar të parapërgatitur, ai vërsuli me kërkesa direkte nga Beogradi, të faktuara, hordhitë e narkobanditëve me uniformë, kundër demorkatëve paqësorë. E them këtë të Beogradit, sepse Baston Stanishiçi është Mugosha i ri në PS dhe në Shqipëri. Mugosha i ri, e ka marrë 6 herë në telefon Edi Ramën, pas urdhrave që i vinin nga Beogradi. Mbro Lul Bravën! Ai nuk e mohoi këtë kur ia përplasën përfaqësuesit tanë.