Aktualitet

Berisha akuza Bashës: “Sillet si në Korenë e Veriut!”

Me pjesëmarrjen e paralajmëruar të kreut të FRPD-së, Belind Këlliçi, “Foltorja” e Sali Berishës për rininë u zhvillua sot në Tiranë. Berisha sulmoi kreun demokrat lidhur me vendimin për të shpallur zgjedhje për drejtuesit e forumeve të të rinjve e të gruas, që aktualisht kanë kryetarë Këlliçin e Albana Vokshin.

Sipas tij, “Basha po sillet sikur është shkolluar në Korenë e Veriut” dhe shtoi se “duhet të mësojë ABC-në e demokracisë nga të rinjtë demokratë”. Madje, hodhi akuza se në 2017-ën, “Këlliçit iu mohua e drejta për të shkuar në Kuvend, pasi Basha e shihte si rrezik potencial për t’i zënë vendin”.

Ndërkaq, Lulzim Basha do të mbledhë sot në orën 18:00 kryesinë e grupit parlamentar të PD-së, por ende nuk dihen saktësisht çështjet që do të diskutohen. Mendohet se në fokus mund të jetë shpallja e zgjedhjeve të reja për drejtuesit e forumit rinor dhe atij të gruas.

Sa i përket çështjeve në Kuvend, PD ka prezantuar tre amendamente lidhur me Kodin Zgjedhor, reformën e re territoriale dhe vetting-un në politikë.

Erion Veliaj ironizoi sot zhvillimet në Selinë Blu, ku Belind Këlliçi e Albana Vokshi kanë dalë kundër kryetarit Basha. Veliaj, i cili përveçse kryebashkiak është edhe drejtues politik i socialistëve në qarkun e Tiranës foli sot nga Vora.

Sipas tij, “nuk është çudi që Këlliçi e Vokshi, të jenë të përjashtuarit e radhës nga grupi parlamentar demokrat”. “Pasi i përdori për të bllokuar punët e Bashkisë, tani po i përzë nga partia”, – deklaroi Erion Veliaj.