Aktualitet Politikë

Berisha: Alibasha sot pranoi Kuvendin e 11 dhjetorit!

Sot në një konferencë për shtyp, kryetari demokrat, Sali Berisha, komentoi vendimin e grupit të Alibeajt në PD për tërheqjen nga ankimi në Gjykatën e Apelit për bashkimin e dy statuteve. Kjo pasi mban peng gjykimin e vendimit për vulën e PD-së. Berisha deklaroi:

Alibasha tallet me veten e tij. Kur dëgjova që Alibasha deklaroi se u zvarrit, në një kohë kur ishte avokati i tyre që katër seanca ose gjykata përdorte si pretekst se nuk e di si kombinohen me Ramën, kësaj i thonë të tallesh me veten.

Kurse vendimi i Gjykatës së Tiranës është një vendim i prerë, i cili automatikisht duhej regjistruar në regjistrin e partive.

Rama ka marrë peng gjykatën dhe nuk lejon regjistrimin. Alibasha, në asnjë vend të botës, përveç në drejtësinë e Edi Ramës, nuk mund të bëhet palë në një proces që nuk ka qenë palë.

Kjo ndodh për herë të parë në historinë e botës. Eshtë absolutisht i pavlerë. Alibasha ka të drejtë, ai dhe çdo qytetar, të shkojë në gjykatën e faktit, dhe për çdo objeksion apo provë, të hapë një proces të ri, por jo të bëhet palë.

Kjo ndodh në drejtësinë qesharake të Ramës, që vepron si në diktaturë, që pengon regjistrimin që është automatik dhe i padiskutueshëm të vendimit të gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit.

Duke u tërhequr nga Kuvendi i 18 dhjetorit, Alibasha de facto pranoi Kuvendin e 11 dhjetorit. Por ai zbaton urdhrat e Edi Ramës. Ata janë të pavlerë, që keqpërdoren nga një njeri që nuk ka asnjë parim, nuk respekton asnjë parim, asnjë ligj, asnjë normë.

Po ashtu, Berisha denoncoi atë që e quan “presion ndaj Kushtetueses ndaj Bandës së Ramës për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës”.

Jam sot para jush për të denoncuar me forcën më të madhe përpjekjen e rrezikshme mafioze, mobilizimin e papërmbajtur të Edi Ramës, Olsi Ramës, Amant Josifit, Artan Gaçes, Olta Xhaçkës për ndikime të shumëllojta mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në vendimin e tyre. Ky grup i strukturuar ka ndërmarrë dhe po ndërmerr forma antiligjore, antikushtetuese presioni ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me qëllim që të përligjin grabitjen përmes firmës së Edi Ramës nga Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, të statusit të investitorit strategjik me së paku 5 milion euro favore.