Aktualitet

Berisha apel qytetarëve për protestë/Gjiknuri: “Tregove se je furnitori politik i protestave!”

Në fjalën e tij në Kuvend ku foli për rritjen e çmimeve, ish-kryeministri Berisha deklaroi se “kjo qeveri, fatkeqësitë i shndërron në dramë”.

Keni parë këto ditë ministra të cilët vrapojnë nëpër dyqane për t’ju gënjyer se u qan zemra nga çmimet e rritura, spekulime të lidhura direkt me xhepin dhe kontot e tyre.

Duke folur për energjinë, Berisha u shpreh dakord me faktin që tregu i naftës ka pësuar rritje nga lufta në Ukrainë, por sipas tij, “problemi është se në Shqipëri si në asnjë vend tjetër, nafta  ka 4 taksa, tre tarifa dhe i paguhet taksë shtetit 1 euro”.

Sot Italia hoqi akcizën si dhe vende të tjera të BE-së kanë hequr atë. Ç’është kjo kokëfortësi e tmerrshme që nuk ul taksat? Ku ndodh kjo?

Ndërsa shtoi se “energjia importohet dhe askush nuk  e di çmimin” që sipas tij “mbahet i fshehtë”, Berisha paralajmëroi për protesta.

Ju bëj thirrje qytetarëve se kjo pranverë do jetë pranvera e protestave të mëdha!

Lidhur me deklaratën e ish-kryeministrit, reagoi Damian Gjiknuri. Deputeti socialist u shpreh:

Po vazhdon me politikën e vdekjes dhe tragjedinë që do t’i injektojë shqiptarëve në mendje, për të dalë aty ku doli në fund kur tha: të ngrihen shqiptarët! Pa dashje nxorri që ka qenë furnitori politik, mbase edhe me njerëz, i protestave. Kur njerëzit manipulohen politikisht dhe injektohen me këtë gjuhë urrejtjeje duke mos njohur shkaqet e vërteta këtu ku jemi dhe çfarë presim nga qeveria, kjo do të thotë që mos ta duash këtë vend, t’i vësh flakën këtij vendi, duke përfituar nga momenti i vështirë.

Gjiknuri u shpreh se “qeveria po bën atë që ka mundësi dhe se po përdor financat publike për të zbutur krizën”.

Ju e latë sektorin energjetik, ti le një kufomë energjetike. Janë bërë shumë vite që nuk mungon furnizimi me energjinë elektrike. Unë kam qenë promotor që tregu të liberalizohet. Pse, me politikën e korbave do të vini në pushtet? Kjo është papërgjegjshmëri!

Nga maxhoranca, një përgjigje për Berishën e kishte edhe Erion Braçe, i cili theksoi se “privatizimi i OSSH-së ishte goditja më e madhe që mori sistemi elektro-energjetik shqiptar”.

Privatizimi i OSSH-së ishte goditja më e madhe që mori sistemi elektro-energjetik shqiptar, shoqëruar me ndryshim të çmimit të energjisë elektrike për qytetarët në rritje.

Të privatizosh 4 hidrocentrale kyçe, pra t’ia heqësh sistemit elektro-energjetik shqiptar publik dhe të detyrosh të gjithë sistemin publik t’jua blejë me çmim tregu energjinë që prodhohej në Ulëz, në Shkopet, e në Bistricë. Natyrisht që duhet ta qepësh fare!

Po ashtu, Braçe i përmendi Berishës një sërë privatizimesh të tjera, duke e akuzuar se shkatërroi përfundimisht gjithë industrinë e përpunimit të naftës në vend.