Aktualitet Politikë

Berisha: Basha peng i Ramës, i përgjigjet Basha: Shpik armiq për të mbuluar dështimin!

Ndërsa ditët e fundit po flitet për një rikthim të Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt si kryetar i komanduar, Sali Berisha e quan “peng të Ramës”.

Atë po e përdor Rama siç do. Ai është vegël në duart e Edi Ramës. Ai bën se çfarë i thotë Rama. Mos më pyesni për axhendën e tij, axhendën ia shkruan Rama. Të bëjë ç’të dojë, asnjë lloj interesi nuk kam.

Këto komente të Berishës, nuk kanë lënë indiferent Lulzim Bashën:

Të kishte sulmuar Ramën aq sa ka sulmuar ata që nuk mendojnë si ai, rezultati nuk do të ishte ky. Por halli i SB është tjetër nga hallet e qytetarëve. Sot si dje ai shpik e kërkon armiq për të fshehur dështimin që mbolli duke vendosur interesin e tij mbi atë të demokratëve.

Një ditë më parë, Lulzim Basha u shfaq në një takim publik me të rinjtë e tha se më 14 Maj skadoi e vjetra. Sipas tij duhet vetting i politikanëve, kufizim mandati për kryeministrin e lista të hapura.

Deputeti demokrat, Ervin Salianji deklaroi sot se nuk mundet që ata që kanë dalë në vend të katërt, referuar PD-së zyrtare, t’u kërkojnë llogari atyre që kanë dalë të dytët.

Do të vazhdohet sërish me të njëjtën mënyrë. Ka edhe një budallallëk, ata që kanë dalë të katërtit po u kërkojnë llogari atyre që kanë dalë të dytët. Nuk po them për vete, se kam dalë i pari aty ku kam qenë. Demokratët dhe shoqëria kanë gjithë të drejtën që të kërkojnë llogari. Sikur njerëzit kanë pritur që kush ka qëndruar dhe tani u ndez playstation-i për të luajtur lojën, e ka gabim. Dhe ndonjë tjetër që i ngarkon ndonjë detyrë Rama dhe thotë hajde po vij. Nuk është kështu opozita dhe do ta shihni që demokratët kanë për t’i marrë para.