Aktualitet Politikë

Berisha bën deklaratën e fortë për Yuri Kim: Nuk do shkelësh kurrë në zyrën time, pa iu kërkuar falje demokratëve!

Ish-kreu i PD-së, Sali Berisha, i ka ‘mbyllur’ derën e partisë, ambasadores së SHBA, Yuri Kim, në rast se do të rimarrë drejtimin e të djathtëve. Në ‘Foltoren’ e radhës në Tiranë me gratë e vajzat demokrate, Berisha tha se dera e PD-së do të jetë gjithnjë e hapur për çdo ambasador të SHBA-së, por “që të shkelë në zyrë, Kim duhet t’i kërkojë fillimisht falje demokratëve”.

“Dy fjalë duhet t’i them zonjës Ambasadore, e cila më shumë se interesat e vendit të saj, mbron politikat e George Soros. Në një dalje televizive u shpreh se po fitoi Berisha, duke shkelmuar kushtetutën e saj, nuk do t’i jap dorën. Dera e Berishës si kryetar i PD apo kryeministër, do jetë gjithnjë e hapur për çdo ambasador, por në rast se ajo do të quhet Yuri Kim, në çfarëdo funksioni të jetë, nuk do shkelë kurrë në zyrën time, pa iu kërkuar ju të falur për barin që ju serviri. Nuk jemi ne gratë dhe burrat e barit, por ata që kemi përmbysur, diktatori që i ofronte shqiptarëve bar. Në zyrën time nuk do shkelësh kurrë pa i kërkuar falje demokratëve shqiptarë”, tha Berisha.

Sali Berisha vijon me akuzat ndaj kreut të PD-së, Lulzim Bashës, të cilin e quan të pabesë. Berisha thotë po ashtu se ‘burime amerikane’ i kanë thënë atij se gjatë një takimi me ambasadoren e SHBA në zyrë, Basha i kishte kërkuar të dilnin jashtë sepse Berisha i kishte futur regjistrues në zyrë. Edhe pse pas humbjes së PD në zgjedhjet e 25 prillit Berisha në asnjë moment nuk bëri përgjegjës Bashën, sot u shpreh se nuk kishte ndërmend ta linte atë në krye të opozitës në një mandat të tretë. Ai akuzon më tej Bashën se bashkëpunoi për shpalljen e tij ‘non grata’ nga SHBA-ja.

“Do mësoni gjëra të pabesueshme për pabesitë e tij të turpshme. Ky zotëri deklaronte se të gjitha gafat e tij ia ka imponuar Sali Berisha. Burime tërësisht amerikane dhe zyrtare më informonin mua se ky i thotë ambasadores të dalim nga zyra se më ka futur Berisha regjistrues dhe të bisedojmë jashtë. S’ka asgjë mes meje dhe tij, por unë atë se pranoja kurrë për mandat të tretë në krye të opozitës dhe gjeja 100 mënyra të vija te ju dhe të thonim t’i tregojmë vendin këtij se na çon nga disfata në disfatë”, deklaroi Berisha.

Berisha tha se Basha ka qenë garant i Ramës dhe George Soros se do merrnin së bashku çdo vendim kundër demokratëve dhe interesave jetike të shqiptarëve.

“Ne shpëtuam opozitën dhe duhet të ndihet krenar secili prej jush dhe çdo demokrat. Plani i fundit i tij ishte shkatërrimi i PD dhe shndërrimi i saj në një ministri të Edi Ramës. Kishte një pengesë dhe kjo ishit ju që kërkonit një opozitë të vërtetë dhe ishte Berisha që ju i besonit.

Rama dhe padrino i tij George Soros e kishin të qartë se unë s’do pranoja kurrë një aleancë me PS, sepse ajo ishte një gjëmë e zezë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe këtë ia bëra të qartë në fushtë dhe atëherë menduan që të më ndëshkonin pa asnjë fakt bazë dhe dokument. Në këtë mënyrë me peng Bashën do mund të merrnin çdo vendim kundër demokratëve dhe interesave jetike të shqiptarëve. George Soros është një monstër dhe armik i egër i Shqipërisë”, tha Berisha.