Aktualitet Politikë

Berisha i kthehet ambasadores Kim: Le të pijë kafe në livadhet e qeverisë, kjo është hakmarrje politike!

Sali Berisha i ka kthyer përgjigje ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila tha se SHBA do të shkëpusë çdo marrëdhënie me PD-në nëse Berisha rimerr drejtimin e saj. Berisha tha se ‘Foltorja’ e tij ka marrë shumë përgëzime nga krahu republikan në SHBA, ndërkohë që ftoi ambasadoren që të dërgojë në gjykatë provat që ka kundër tij.

‘Nuk është më i vogël entuziazmi në vendet mike, nuk janë më të pakta përgëzimet që marr  për këtë nismë edhe nga nivelet më të larta të SHBA-së, në krahun publikan. Pra për të mbyllur këtë problem  zonjës dhe kujtdo tjetër që ka një provë, fakt të vetëm, t’i dërgojë pranë gjykatës në Paris. Shpreh kënaqësinë time të madhe por edhe mirënjohjen se përfaqësues të vendeve mike, se përfaqësues të elitës politike amerikane nuk pajtohen, nuk pranojnë, nuk binden, madje e marrin si një hakmarrje politike, se kemi prova por nuk i themi. Kjo ka marrë fund. Ke prova çoji para gjykatës. Në të dy anët e Atlantikut miq të shquar me kanë deklaruar se kanë parë dosjen dhe e kanë gjetur atë të pastër. Çështja e kafes, le vazhdojë të pijë kafe në livadhet e qeverisë, por jam i sigurt që unë do ta afroj Shqipërinë me BE-në dhe SHBA-në ky është zotimi im.’- tha Berisha.

Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për shtyp sot tha se 4200 formularët që mban mbi tavolinë do depozitohen në Këshillin Kombëtar të PD-së sonte dhe më pas në Kuvend gjatë seancës së radhës.

Sipas tij, janë ende persona që po firmosin jashtë, duke theksuar se do të ruhet privatësia e të dhënave personale.

Sa i përket kreut të PD-së, Lulzim Basha, ai tha se ka frikë nga forumet, anëtarësia apo Këshilli Kombëtar.

“Nga një udhëheqje e papërgjegjshme gjatë këtyre 8 viteve. Në foltore nuk kanë qenë vetëm themeluesit. Kemi sjellë 4200 formularë, 4200, 1800 që është detyrimi statusor për të thirrur këtë kuvend. Po pse shkuam kaq shumë? Për të respektuar vullnetin e shumicës. Këtu kemi një shumicë jo vetëm të PD por edhe të Shqipërisë. Këto 4200 formularë do t’i depozitoj në selinë e PD tek kryetari i Këshillit Kombëtar të PD Edi Paloka. Do thoni ju po pse kjo përzgjedhje. Në formularët e PD për dramën e kësaj partie, i vetmi forum pas Kuvendit është Këshilli Kombëtar. Kryetari nuk ka mbledhur akoma kryesinë e PD se ka frikë, ka tmerr nga forumet nga anëtarësia, kurse Këshilli Kombëtar është këshilli më i lartë. Me garancinë e plotë se do të ruhet privatësia e të dhënave personale pasi formularët kanë jo vetëm gjeneralitetet, por kanë edhe numrin e kartës së anëtarësisë dhe ID. Ditën e kuvendit do të jenë në sallën e kuvendit, mund të pyesni me të drejtë kanë firmosur 4200, qindra të tjerë janë duke firmosur, rreth 1200 janë në emigracion”, tha Berisha.

Kujtojmë se Berisha një ditë më parë gjatë fjalës përpara përkrahësve të tij në Pogradec tha se 4200 firma për ngritjen e Kuvendit Kombëtar do të dorëzohen të mërkurën në Partinë Demokratike.

Ai akuzoi kryetarin e forcës më të madhe opozitare, Lulzim Basha, se ishte marrë peng nga kryeministri Edi Rama, gjë që u provua kur vendosi ta përjashtojë nga grupi parlamentar në shkelje të statutit të partisë.