Aktualitet Politikë

Berisha ‘izolohet’ nga ndërkombëtarët, Bardhi: Ai nuk mund të fshihet!

Deputeti Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së fortë të raportuesit për Ballkanin Perëndimor në CDU, Peter Beyer i cili ndodhet sot në Tiranë.

Bardhi tha se Berisha nuk mund të fshihet dhe të hiqet sikur nuk kupton deklaratat që vijnë nga ndërkombëtarët.

“Babi Zenit duhet të kërkojë ndjesë që gënjeu demorkatët që qëndrimi i Gunther Krichbaum deputet i CDU/CSU në Bundestag, është personal. Raportuesi për Ballkanin Perëndimor në CDU Peter Beyer konfirmon se nuk do të ketë bashkëpunim me Sali Berishën, të shpallur nongrata nga SHBA për korrupsion madhor. Sali Berisha nuk mund të fshihet dhe të bëjë sikur nuk dëgjon dhe nuk kupton. Ai e ka futur Partinë Demokratike në një rrugë pa krye, duke e izoluar ndërkombtarisht dhe duke çimentuar në këtë mënyrë regjimin e Edi Ramës”, tha Bardhi.

Beyer komentoi zhvillimet në PD, ndërsa u shpreh i prerë se CDU nuk del kundër SHBA-së sa i takon ‘non gratës’.

Në këtë linjë, Beyer tha se nuk do të ketë bashkëpunim me PD e drejtuar nga Sali Berisha.

“Për mua nuk janë personat shumë të rëndësishëm. Ne si CDU kemi interes të kemi një PD të fortë. PD është partia opozitare ka një përgjegjësi të madhe për të bërë opozitën në parlament. Kjo duhet të realizohet nga PD që ka përfaqësues të popullit. Më interesojnë pak figurat e veçantë. Më shumë më intereson forcimi i partisë. Ky është qëndrimi ynë si CDU/CSU”,  tha ai.