Politikë

Berisha kërkon ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike me Rusinë, replikon Balla: Të ka mbaruar koha!

Ish kryeministri Sali Berisha ka folur për mediat pas përfundimit të seancës plenare gjatë së cilës foli presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera Berisha kërkoi ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike me Rusinë. Ai kërkoi që ambasadori rus në Shqipëri të largohet, ndërsa ai shqiptar të tërhiqet nga Moska.

Po ashtu, lideri historik i demokratëve tha se ai që e ka turpëruar vendin sot është qëndrimi i kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit sipas Berishës, së pari e turpëroi vendin duke hapur vendin për turistët rusë dhe së dyti duke vijuar me projektin “Ballkani i Hapur” që Berisha e ka cilësuar prej kohësh tashmë si një iniciativë që i hap rrugë influencës ruse në rajon.

“Qëndresa e kombit ukrainas është një frymëzim i madh për të gjithë ata që e duan lirinë dhe besojnë te vlerat e saj. Që në ditët e para të agresionit kemi ngritur zërin tonë në këtë parlament për ndihma konkrete të gjithanshme ndaj këtij kombi. Shqipëria është e rreshtuar në anën e NATO-s, OKB ka dhënë ndihmesën e vet. Ajo që na turpëroi sot është qëndrimi i dyzyar i Edi Ramës gjatë këtyre muajve të këtij agresioni barbar. Në njërën anë votohej për dënimin e Rusisë në Këshillin e Sigurimit, nga ana tjetër promovohet ideja ruso-serbe e Ballkanit të Hapur që i hap rrugë hegjemonisë serbe, influencës ruse në rajon. Shpallja e ftesës së Edi Ramës për turistët rusë në Shqipëri. Imagjinoni, vrasës, përdhunues…pasi kryejnë masakra të vinë e të dynden në plazhet tona për të marrë veten. Kjo ishte fyerje e rëndë për Shqipërinë.”

Berisha kërkoi po ashtu anulim të vizave për çdo qytetar rus që kërkon të hyjë në Shqipëri.

Kujtojmë se në fjalën e tij para parlamentit shqiptar, Volodymyr Zelenskyy kërkoi masa konkrete kundër Rusisë, si mbyllje të porteve për anijet ruse, ndalim i turistëve rus apo edhe kufizimin e tregtisë me vendin pushtues.

“Të largohet ambasadori rus”, Balla për Berishën: I ka mbaruar koha

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar pasi ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë.

Në një prononcim për mediat pas seancës së posaçme ku foli në Kuvend presidenti Volodymyr Zelensky, Balla e konsideroi deklaratë populiste të një politikani që i ka mbaruar koha atë se çfarë tha Berisha.

Kreu i grupit socialist theksoi se kryeministri Edi Rama e ka shprehur qartë pozicionin e Shqipërisë dhe se ata janë të gjithë me Ukrainën që po përballet me agresionin rus.

“Kuvendi i Shqipërisë sot kishte një seancë të posaçme me tepër rëndësi. Për të gjithë ishte e qartë edhe pozicioni i Shqipërisë i shprehur nga kryeministri Rama. Dhe po ashtu i qartë ishte edhe vlerësimi nga zoti Zelensky.

Në këtë aspekt kashtë mbi tjegulla mund të pretendojë të vendosë gjithkush. Nuk është momenti që politikanë të caktuar që e kanë mbyllur kapitullin e tyre të vijnë me propozime që as nuk kanë vlerë. Agresioni i pajustifikueshëm rus e ka bërë botën më të bashkuar se kurrë. Shqipëria do të ndërmarrë të gjitha hapat. Të merremi me gjëra serioze dhe jo me tollumbase populiste të ndonjë politikani që koha i ka mbaruar me kohë. Zoti Berisha nuk ekziston për mua”.

Në fjalën e kryeministrit Rama keni një përgjigje të saktë për të gjitha hapat që do të marrë. Ne jemi të gjithë me Ukrainën”, tha Balla.

Gjatë mesazhit të tij në Kuvendin e Shqipërisë presidenti ukrainas vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë, ndërsa kërkoi që të mbyllen portet për anijet ruse si dhe të kufizohen gjithashtu turistët rusë.