Aktualitet Politikë

Berisha kundër amnistisë fiskale: Godet biznesin e ndershëm!

Ndërsa kryeministri Edi Rama iu bashkua sot një konsultimi me biznesin për amnistinë fiskale, opozita përsërit kundërshtinë. Sipas kryetarit demokrat, Sali Berisha, “projektligji është një goditje e rëndë për bizneset e ndershme”. Gjatë një konference për gazetarët, Berisha tha se “amnistia fiskale është një akt me pasoja katastrofale për rendin dhe sigurinë e biznesin në Shqipëri”.

Duke përshëndetur të gjitha reagimet brenda vendit dhe të huaja, të bëra kundër këtij akti, paralajmëroj gjithashtu qeverinë se amnistia e saj fiskale është një goditje shumë e rëndë për bizneset e ndershme, është një goditje shumë e rëndë për reputacionin e vendit, është një goditje shumë e rëndë për rendin dhe sigurinë në Shqipëri.

Më tej, ish-kryeministri theksoi:

Nëse siç ka qëllim kryesor të legalizojë paratë e krimit, pasi ju e keni të qartë se nuk ka shqiptar të ndershëm, i cili me punën shtesë që mund të bëjë, me punën e ndershme, qoftë edhe të paregjistruar, të mund të sigurojë dy milion euro kursime, është gjithçka që ka vetëm një synim, që “çunat” të legalizojnë paratë e krimit dhe ne jemi kategorikisht kundër saj!

Sipas Berishës, “me këtë proces, kryeministri Rama do të ketë një taksë veçmas nga ajo që kanë shpallur për shumicën e këtyre shumave të legalizuara”.

Ky është një shpërblim që njerëzit që merren me trafiqe kriminale nuk e meritojnë kurrë. Ky është shkelmimi i barazisë dhe parimeve të drejta të biznesit. Këtyre ua rrit taksat në 23%, atyre u thotë për paratë që keni, e keni 7 apo 8%.

Në takimin e sotëm, shefi i qeverisë, Edi Rama vuri në dukje se “ideja e amnistisë është shumë e vjetër, jo e re dhe asnjëherë nuk është materializuar si duhet”, sipas tij “nga një presion i caktuar i brendshëm dhe i jashtëm, që besoj ka pasur arsye që sot nuk ekzistojnë më”.