Aktualitet Politikë

Berisha: McGonigal ndërhynte në vetting/Nesër kërkesë për komision hetimor mbi çështjen!

Partia Demokratike ka gati kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor që të zbardhet lidhja e kryeministrit Rama me ish-zyrtarin e arrestuar të FBI-së, Charles McGonigal. Kërkesa dorëzohet nesër në Kuvend. Për çështjen foli sot kryetari demokrat Berisha, sipas të cilit “McGonigal ndërhynte edhe te vettingu”. Gjithashtu, nuk la pa shënjestruar ambasadoren amerikane, Yuri Kim.

Kjo është një aferë e tmerrshme për të cilën normalisht duhet të fliste drejtësia, por ajo është nën kontrollin e plotë të partisë së krimit, drejtësia është këtu nën kthetrat e Edi Ramës.

Dje, deputeti Bardhi dërgoi padi. Përgjigja ishte zhvejkiane: na sill aktpadinë!

Nuk mjaftojnë për SKAP-in e partisë e gjithë kjo mori e pafundme e të dhënave të shtypit botëror dhe shqiptar, por duhet të gjejë Gaz Bardhi aktpadinë, që ta lexojë SKAP-i i partisë.

Drejtësia është pjesë e kësaj dosje, pasi McGonigal drekonte dhe darkonte jo vetëm me politikanë të inkriminuar si Taulant Balla, por edhe me gjykatës, prokurorë, merrej edhe me vetting, ku të dëshironte Edi Rama.

U ndala në këtë analizë, se sa herë që ta trajtosh, gjithnjë e më e zezë del. Por a përfundoi me këto përpjekja kriminale e Edi Ramës për asgjësimin e opozitës?

Jo! Një gjë duhet t’ju them ju: Edi Rama nuk njeh asnjë lloj norme, njeh vetëm një parim: frikën! Dhe kësaj here duhet të trembet shumë. Duhet të trembet shumë nga shqiptarët sepse ai vazhdon qëndrimin e tij kriminal për asgjësimin e pluralizmit në Shqipëri dhe opozitës në Shqipëri.

Vazhdon dhe beson se do ia dalë me produktet e krijuara me McGonigal-in. Dhe jo vetëm me të, faktikisht edhe me McGonigal-in me fustan. Duhet t’i themi gjërat se zonja njeh Alibashën publikisht si kryetar.

Pra, rrethanat janë të tilla, o sot o kurrë, duhet të ngrihemi në një revolucion demokratik, me një lëvizje të qëndrueshme gjer në largimin e këtij regjimi nga pushteti.