Aktualitet Politikë

Berisha: “Në zgjedhjet e 6 Marsit si pjesë koalicioni me LSI-në”/Negociata me parti të tjera!

Kandidatët e Komisionit të Rithemelimit do të garojnë në lokalet e pjesshme të 6 Marsit në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim e parti të tjera, me të cilat vazhdojnë negociatat. Koalicioni është pagëzuar me emrin “Shtëpia e Lirisë”. Kjo u bë e ditur nga ish-kryeministri Berisha në një dalje për mediat, në krah të emrave të përzgjedhur në primaret e djeshme për bashkitë Shkodër, Durrës, Dibër, Vorë, Lushnje e Rrogozhinë.

Këto ishin primaret e para në të cilat çdo kandidat është produkt dhe atribut i anëtarësisë së bazës së partisë. Asnjë nga këta që shihni nuk janë kandidatë të Sali Berishës apo të Komisionit të Rithemelimit, por janë të gjithë të propozuarit e bazës që kanë mbështetjen e Komisionit dhe të Sali Berishës. Ato ishin zgjedhjet me demokratike të zhvilluara! Dita e djeshme shënoi aplikimin e një standardi të paparë që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri. Shënoi shkëputjen e PD-së nga praktikat e errëta, të përdorura në 8 vite nga Lulzim Brava dhe shënoi mbajtjen e një premtimi të bërë nga PD!

Mbi pamundësinë që të përdorë logon e PD-së në zgjedhje, Berisha u shpreh se e konsiderojnë “të konfiskuar” dhe akuzoi kryeministrin.

Edi Rama me bandat e tij me uniformë dhe pa uniformë, ka konfiskuar siglën e PD-së. Ne e konsiderojmë atë të konfiskuar! Qëllimi më madhor i këtij konfiskimi ishte që ne të mos merrnim pjesë në këto zgjedhje si hap i parë. Ne marrim pjesë në zgjedhje, sepse bojkoti nuk është opsion për ne. Sigurisht që do të ketë një marrëveshje me një koalicion në përputhje me ligjin dhe në atë marrëveshje do paraqitet edhe logoja, të cilën çdo shqiptar e ka të qartë se logon e vërtetë tonën e ka konfiskuar Edi Rama.

Pas primareve, në Dibër do të kandidojë Premtim Kryemadhi, në Vorë Lulzim Vrana, në Durrës Ardian Muka, në Lushnjë Elton Bano, në Rrogozhinë Hekuran Xhani e në Shkodër Bardh Spahia.

LSI konfirmoi mbështetjen për kandidatët e Komisionit të Rithemelimit në zgjedhjet e 6 marsit.

I tmerruar nga primaret e djeshme të jashtëzakonshme, deputeti Basha i cili mashtroi për 10 vite e s’i bëri kurrë, tani provokon LSI-në për të shmangur vëmendjen nga kandidatët që caktohen me zarfa në minutë të fundit prej 10 vitesh. Të gjithë për rivendosjen e integritetit të votës së lirë!

Partia Demokratike reagoi për koalicionin e Berishës me PS-në:

Sali Berisha ka vetëm një garë, atë për të dëmtuar Partinë Demokratike. Koalicioni non grata do ta mbajë Shqipërinë në vendnumëro, hallet e Berishës, Ramës dhe Metës, nuk janë hallet e shqiptarëve.  Zgjedh Ramën, mban Berishën dhe Metën. Zgjedh Berishën dhe Metën, mban Ramën.