Aktualitet Politikë

Berisha për zgjedhjen e presidentit: “Parodi e neveritshme!”

Ndërsa grupi parlamentar i PD-së mblidhet sot në orën 16:00 për të zhvilluar diskutim të thelluar lidhur me emrat e kandidatëve për president, ish-kryeministri Berisha komentoi qëndrimet e Enkelejd Alibeajt për çështjen. Në një dalje për mediat, Berisha u shpreh:

Gjithçka po shihni është një parodi e neveritshme, dëshmi e keqshfrytëzimit ekstrem nga Edi Rama të individëve të caktuar që për një ose më shumë arsye, pranojnë të vetëposhtërohen nga Edi Rama, por që nuk përfaqësojnë asgjë nga PD-ja.

Çdo gjë që Edi Rama bën me Alibashën është praktikë e keqpërdorimit e dy-tre njerëzve, që një Zot e di se çfarë hallesh kanë!

Por, nuk mundet kurrë opozita të bëhet lodër në duart e maxhorancës. Ka një praktikë këtu, edhe kur është zgjedhur presidenti konsensual. Janë forcat politike ato që kanë marrë vendimin. Nuk vendosin ata që nuk përfaqësojnë, që janë të shkarkuar nga çdo funksion. Ata nuk kanë asnjë tagër. Një forcë serioze politike nuk mund të tërhiqet kurrsesi në skenare të tillë!

Gjithashtu, Berisha u pyet për faktin se mes emrave të përfolur për postin e kreut të shtetit janë njerëz të drejtësisë, të cilët i ka akuzuar.

Ardian Dvorani dhe Ina Rama janë subjekt i ndjekjes penale për veprimtarinë e tyre në detyrë. Dvorani ka fshehur 82 mijë euro. Ai ka kontratën e apartamentit për 92 metër katrorë, kur apartamenti rezulton 128 metër katrorë. Ai është simboli më i nxirë i korrupsionit në gjyqësor.

Ina Rama mori pjesë në mënyrë aktive në puçin që dështoi më 21 janar. Ajo ndërmori një akt të dekapitimit të Gardës, me qëllimin e vetëm, që dështimi i fazës së parë, të kishte sukses në fazën e dytë. Pra, kreu një veprimtari antikushtetuese, e cila nuk parashkruhet kurrë.

Ndërkohë, i pyetur nëse do të konsultohet me Berishën, Alibeaj theksoi se do të flasë vetëm me “anëtarët e Grupit Parlamentar”.  “Nuk kemi ngut për të konsultuar deputetët të shprehin qëndrimin apo dhe emrin eventual”, – tha Alibeaj.