Politikë

Berisha pyetet në prokurori: Basha i lidhur me trafikantët; në selinë blu më 8 janar persona të armatosur

Ish kryeministri Sali Berisha ka folur pas deklarimit në prokurori. Ish lideri demokrat u tha gazetarëve se ndodhet aty me urdhër të kreut të meduzës duke iu referuar kryeministrit Rama.

“Akti më i paimagjinueshëm, momenti më kriminal në historinë e 30 viteve dëshmia më flagrante e lidhjes së politikes me krimin ishte Lulzim Brava i rrethuar nga një bandë vrasësish dhe trafikantësh, pengmarrësish fundamentalistesh. Kjo përbën dhe momentin më dramatik dhe dëshminë më flagrante të shkrirjes në një, të narkoshtetit dhe lidhjeve të një politikani me krimin” u shpreh Berisha.

Ndër të tjera ish-Kryeministri Berisha konfirmoi se dëshmoi në Prokurori se brenda Selisë së PD kishte njerëz të armatosur në mbrojtje të Lulzim Bashës ndërkohë që armët sipas tij i largoi Basha me makinat në dispozicion.

Berisha tha se do të dorëzojë çdo informacion që mbledh për këtë grup mercenerash, vrasësish dhe trafikantësh.

“Çështja tjetër që unë shtrova me forcë është se si ka mundësi që të njëjtat armë që përdorte narkopolicia e Edi Ramës përdorte edhe banda e Lulzim Bravës. Ka dëshmi flagrante të pranisë së njerëzve të armatosur brenda në seli”, u shpreh themeluesi i PD-së.

Gjithashtu Berisha tha se Basha që sipas tij është i shkarkuar nga strukturat e rregulla të Partisë Demokratike, mbrohet nga Garda e Republikës.

“Lulzim Brava është në kundërshtim me ligjet e vendit, mbrohet nga garda, ai nuk është kryetar opozite. Nuk mundeni kurrë të qëndroni në mbrojtje të një njeriu që mban vrasës dhe banditë. Nuk janë politike asgjë nga këto. Një oficer garde që ruan një personalitet dhe ai mban vrasës, ata duhet të thonë se nuk e bëj këtë. A mundet oficeri i gardës që të jetë i rrethuar nga vrasës?! Ai është superfrikacak dhe vrasës. Fondamentalisë janë persona të lidhur me krimin, të ardhur nga Siria, janë mercenarë. Ata mbronin Lulzim Bravën. Këtu qëndrimi i gardës, pranimi nga garda i vrasësve është një krim i rëndë“, tha Berisha.