Aktualitet Politikë

Berisha: “Rama i frikësuar nga opozita e vërtetë!”

Kryeministri Rama tha sot se nuk ka kërkuar dënim, por hetim të personit të shpallur “non grata” nga Amerika, referuar ish-kryeministrit Berisha. Në një dalje për mediat, Rama iu përgjigj atyre që e akuzuan për ndërhyrje e deklaroi se “të kërkosh më shumë nga drejtësia, nuk është presion”. Për komentet e tij sapo reagoi Berisha, sipas të cilit, “nën panik të jashtëzakonshëm, Rama merret me drejtësinë e kundërshtarët politikë”. Për Berishën, “ai ka si qëllim të tërheqë vëmendjen” nga ajo që e quan “varfëri e frikshme”.

Ju keni dëgjuar këto ditë për Butrintin. Ajo është një aferë multidimensionale. Rama mund të jetë aty aksioner, pasi miku i tij po ndërton resortin në Gjirin e Manastirit. Po ashtu në Kepin e Stillës është dhëna leja për 620 vila. Shpërthimi i skandaleve të njëpasnjëshme kanë bërë që Edi Rama të humbasë arsyen, logjikën dhe të futet në sindromën e problemeve të thella psikike. I trembur! Por, një pse tjetër, duhet të jemi të hapur, i këtij qëndrimi, është edhe frika në palcë nga opozita e vërtetë.

Mori fund loja e turpshme me pseudo-pluralizmin, me opozitën e blerë, me opozitën-fasadë. Vendi sot ka një opozitë të vërtetë dhe kjo e tmerron Edi Ramën. E tmerron sepse kjo opozitë është revolucion. Ne, në mënyrë absolute nuk do pajtohemi me këtë plaçkitje të tmerrshme që po iu bëhet shqiptarëve. Ne nuk bëjmë presion as te SPAK-u, por iu drejtohemi qytetarëve të mbrojnë pronat nga një organizatë kriminale, nga më të rrezikshmet në botë.

E paralajmëroj Edi Ramën, këto ditë do të jenë të harruara. Je i pashpresë, asgjë nuk e ndalon revolucionin pa i dalë zot interesit publik shqiptar, asgjë! Sepse nuk do të ishte më opozitë, do të ishte një pseudo-opozitë. Ajo ka marrë fund dhe nuk ekziston më!

Edhe Monika Kryemadhi reagoi për deklaratat e kryeministrit. Sipas kryetares së LSI-së, “Rama ka vendosur PS-në në funksion të kërcënimit të prokurorëve e gjyqtarëve”. Në rrjetet sociale, Kryemadhi shkruan:

Sot shohim si Rama i ngërdheshet prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke i thënë se i ka ndihmuar të kalojnë vetingun, ndaj është herezi që sistemi i drejtësisë të hetojë kryekorruptuesin e sistemit dhe bandën e tij.