Aktualitet Politikë

Berisha: Revolta po zien, duhet përgatitur fronti opozitar!

Sot në takimin me drejtuesit e degëve të PD-së, kryetari demokrat, Sali Berisha, tha se “revolta po zien, ndaj duhet përgatitur sa më shpejt fronti opozitar”.

Orbita e pakënaqësisë dhe e revoltës është shumë e madhe. Detyra jonë është t’i aktivizojmë, t’i tërheqim në veprimin tonë. Të bëjmë gjithçka për të vendosur bashkëpunimin me ta, për të identifikuar çdo organizatë, çdo grup interesi, çdo individ influent e çdo aleat tonin.

Ne duhet të krijojmë me shpejtësi frontin opozitar. Ne jemi në situatë absolutisht shumë më të vështirë se në vitin 1991 kur kishim një regjim monist, komunist. Komunizmi nuk ra në Shqipëri fillimisht, u rrokullis në Europë. Ishte monist, i kishte të gjitha pushtet, por prapë nuk mbijetonte sot. Kurse sot kemi regjim edhe më monist se në vitin 1991.

Sot të gjitha pushtetet janë në duart e Edi Ramës, në duart e një njeriu, në duart e një partie. Sot është realitet më i hidhur i Shqipërisë, partia-shtet. Nga ana tjetër, askush nuk do të angazhohet për rrëzimin e këtij pushteti përveç nesh. Nëse presim se do na vijnë ndihma, mashtrojmë e gënjejmë veten tonë.

Berisha deklaroi se “qytetarët presin që PD të ngjallë besimin për të udhëhequr protestat dhe ndryshimin”.

Kemi 44 mijë luftëtarë, që na u përgjigjën në çdo kohë. Kjo është një pakicë që mund të udhëheqë një lëvizje të fuqishme, shpëtimtare për Shqipërinë. Në radhë të parë, këta 44 mijë luftëtarë kërkojnë të mobilizohen, kërkohet me çdo kusht ta zgjerojmë frontin.

Partia shtet përmbyset me një front opozitar dhe është jetike për ne. Ne duhet ta krijojmë në të gjitha nivelet e vendit.

Përballë kemi një armik më të rrezikshëm pas Enver Hoxhës. A do pranojmë ne monizmin? A do pranojmë të vazhdojmë si zakonisht me këtë qeveri dhe me këtë regjim? Kurrën e kurrës!

Nuk është punë krize, por shfrytëzim i krizës për të vjedhur e varfëruar më shumë shqiptarët. Cili shqiptar e pranon këtë? Askush nuk e pranon! Por, problemi është se ne duhet të ngjallim besimin se me lëvizjen tonë do i japim përgjigjen e duhur këtyre praktikave çnjerëzore.