Aktualitet

Berisha rikthehet në Kuvend, akuza Bashës e Ramës mbi shembjet te “5 Maji”/Basha akuza Ramës për udhëtime luksoze!

Në foltoren e Kuvendit, Lulzim Basha deklaroi sot se ndërsa kryeministri udhëton me çarter privat jashtë vendit, “qeveria e tij shemb çatitë e banorëve në lagjen “5 Maji”, në kundërshtim me ligjin”.

Ku është kryeministri? E dimë që para dy ditësh shkoi dhe erdhi me çarter privat e nuk denjoi të njoftojë shqiptarët se për çfarë po i harxhon ato 120-150 mijë euro karburant që kushton një fluturim me çarter. Ky që e nisi qeverisjen duke premtuar që do të udhëtonte vetëm me bileta ekonomike, tani niset për në Paris, Mynih, shkon e vjen me një çarter luksoz, por siç e thashë, vetëm karburanti kushton 120 mijë euro minimumi dhe kur vjen puna për t’u përballur me shqiptarët, nuk e dimë ku është!

Kryeministri shkon në kryeqytetet e Europës apo të botës ndërsa qeveria e tij pa asnjë mandat dhe në kundërshtim me ligjin shemb çatitë e banorëve të kryeqytetit, siç ndodhi në lagjen “5 Maji”. Një pjesë e tyre po protestojnë para Kuvendit, por pjesa tjetër janë në një gjendje lufte. Thua se i ka bombarduar një armik, por jo një armik i dukshëm me tanke e aviacion luftarak, por armiku i padukshëm po kaq i tmerrshëm i korrupsionit qeveritar.

Me Bashën replikoi ministrja Elisa Spiropali:

Urime! U vërtetua që është kryetari i PD-së përmes një vërtetimi gjykate, urime! Përsërit të njëjtat fjalime, por i ndryshon paragrafët. I kujtoj kryetarit me pullë që mbetet tek pullë, të sqarojë pozicionin e tij brenda partisë dhe më pas të kërkojë në Kuvend llogari!

Deputetja demokrate Jorida Tabaku:

Të dëgjoj Elisën që të jep mend se ç’të bëjnë demokratët nuk e di, nuk mund të rrija pa folur, po me kokën ulur nuk rrimë ne, si ju që keni 15 vjet një kryetar që nuk e votoni asnjëherë.

Edhe Sali Berisha shprehu sot solidaritetin me banorët e 5 Majit, të cilëve iu shembën banesat në kuadër të rindërtimit e zgjodhën të protestojnë sot para selisë së Kuvendit.

Drama njerëzore e një numri qytetarësh, të cilëve pavarësisht se kanë 20 vite në shtëpitë e tyre, ua prishën banesat në kundërshtim me çdo normë ligj dhe kushtetutë. Mbështes zhvillimin e qytetit dhe projektet që e bëjnë atë të jetueshëm, por nuk mbështes kurrë barbarinë ndaj qytetarëve të tij. Ka një detyrim moral, të ulesh me ta, t’i shpjegosh planin dhe të dëgjosh kushtet që kanë.

Bëhet më tragjike kur në sheshet e atyre shtëpive, ortakë në ato pallate, janë përfaqësuesit e Lul Bravës. Vetëm një shtet bandash, mund të veprojë në këtë mënyrë. Kreu i Meduzës ka parashikuar të ndërtojë kulla 30 katëshe paçka se plani është për pallate 7-katëshe.

Berisha, i cili u rikthye sot në seancë plenare, pas më shumë se 4 muajsh, fillimisht foli për gazetarët para se të hynte në sallë.

Mungova 4 muaj pasi isha në bisedë me mbarë demokratët e Shqipërisë. Ai ishte Parlamenti më i madhërishëm në 30 vitet e fundit, tani rikthehem në respekt të popullit, ndërsa për ata që janë aty nuk e meritojnë të rrish as 4 minuta në atë sallë. Kam gjetur mekanizmin për të fituar në zgjedhjet e 6 marsit dhe shoh optimizëm e besim të madh në fitore.

I pyetur nëse do të jetë në aleancë me LSI-në, Berisha u shpreh se “negociatat vazhdojnë”.

Gjithashtu, Berisha mbajti edhe një fjalim në Kuvend ku nuk kurseu akuzat e forta për Ramën e Bashën. Më herët, në Parlament e mori fjalën deputeti demokrat Ervin Salianji, i cii tha se “këto ditë, ka vetëm lajme të zeza për Shqipërinë: borxhi, krimet, ngrohja në shkolla”. Salianji ironizoi edhe Berishën:

Eshtë nisur një betejë për një person që është shpallur “non grata” dhe nuk ka ardhur asnjë ditë në Parlament. Këta që janë përgjegjësit e 30 viteve dhe tani na shfaqen si shpëtimtarë. Prandaj qytetarët shqiptarë janë të qartë për t’u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara që nis këtu dhe përfundon në disa foltore të tjera!