Aktualitet Politikë

Berisha: Sulmi ndaj Top Channel, akt kriminal i shëmtuar, e dënoj ashpër/Kreu i KLP-së Balla: Autorët para ligjit!

Nga opozita, krahas Enkelejd Alibeajt, edhe kreu i Rithemelimit, Sali Berisha dënoi sulmin me armë ndaj personelit të sigurisë në Top Channel, ku për pasojë humbi jetën roja Pal Kola 60-vjeç. Duke i shprehur ngushëllime familjes së viktimës, miqve, të afërmve dhe kolektivit të Top Channel, Berisha thekson se “akti kriminal është një tjetër dëshmi e dhimbshme e pasigurisë së plotë, që ekziston sot në vend”.

Një akt kriminal i shëmtuar. Sulmohet me armë zjarri Top Channel dhe ekzekutohet në kabinën e tij roja e objektit.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar kriminal dhe i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së viktimës, miqve, të afërmve dhe kolektivit të Top Channel.

Denoncoj këtë akt kriminal, si dëshmi tjetër e dhimbshme e pasigurisë së plotë, që ekziston sot në vend nga vendosja e rendit nga regjimi në duart e krimit.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shpreh ngushëllime, duke u bashkuar me dhimbjen e familjes së rojës së sigurisë, Pal Kola.

Edhe sot krimi e mori një jetë. Një jetë të pafajshme, të një punëtori. Sot një roje televizioni, para pak ditësh një pastruese lokali. Viktimat e krimeve nuk janë të largët e të panjohur, ata janë njerëzit tanë, bashkëqytetarët tanë, shqiptarët tanë.

Bashkohem me pikëllimin dhe dhimbjen e familjarëve dhe gjithë shoqërisë sonë.

Epoka e krimit duhet të marrë fund, që të vijë epoka e shqiptarëve.

Dhe do të marrë fund, shumë shpejt!

Në një tjetër reagim në vazhdën e shumë të tillave për ngjarjen që ka tronditur opinionin publik, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP-së, Alfred Balla e cilëson “akt terrorist” sulmin.

Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, të sotëm ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola.

Teksa në emër të KLP-së i shpreh ngushëllime familjes së z.Kola, Alfred Balla thekson:

Shpreh indinjatën ndaj këtij akti terrorist dhe nga Prokuroria e kryeqytetit e nga ajo e Posaçme, kërkoj ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale, e të dërgojnë përpara ligjit autorët!

Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi:

Sulmi me armë ndaj selisë së TCH, është sulm ndaj interesit publik. Tragjike humbja e jetës së punonjësit pranë kësaj medie. Përcjell ngushëllimet e mia më të thella për familjarët e të ndjerit. Inkurajim & mbështetje për organet ligjzbatuese në gjetjen sa më shpejt të autorëve.

Deputeti demokrat, Ervin Salianji shkruan se “guximi i grupeve kriminale dhe ordinere për të goditur me plumba Top Channel kalon çdo imagjinatë për nivelin e sigurisë publike në vend e është shqetësues për çdo qytetar”.

Sulmi terrorist ndaj Top Channel është sulm ndaj fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes!

Akti terrorrist kërkon reagimin dhe përgjigjen e menjëhershme të institucioneve ligjzbatuese. Institucionet e Sigurisë duhet të kapin autorët dhe të zbardhin ngjarjen në kohën më të shpejtë! Drejtësia të japë dënimin më të ashpër!

Guximi i grupeve kriminale dhe ordinere për të goditur me plumba Top Channel kalon çdo imagjinatë për nivelin e sigurisë publike në vend dhe është shqetësues për çdo qytetar!

Qeveria, SHISH dhe organet e drejtësisë duhet të kapin dhe nxjerrin para përgjegjësisë autorët nē kohën më të shpejtē duke i shtypur me forcën më tē madhe të ligjit!

Koha që institucionet të flasin me akte jo me fjalë! Ky është tejkalim i çdo kufiri!

Solidaritet për Top Channel dhe ngushëllime familjarëve të punonjësit të sigurisë!

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh e tronditur për sulmin ndaj Top Channel.

Shpreh ngushëllimet e mia për familjen e të ndjerit Kola që u vra nga një sulm kriminal mëngjesin e sotëm drejtuar medias së Top Channel.

E tronditur nga sulmi ndaj medias dhe shpreh mbështetjen time në këto momente të rënda ndaj Top Channel.

Organet ligjzbatuese kanë për detyrë parësore që të zbardhin ngjarjen ndërsa këmbëngul që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jetë prioritet kombëtar dhe çështje e sigurisë tonë kombëtare.

Nuk mund të mbyllim sytë dhe veshët përballë kësaj tragjedie dhe rrezikut që na kanoset.