Aktualitet Politikë

Berisha: Vrasësi i grave Dan Hutra mblodhi vota për Rakip Sulin në Kamëz!

Në daljen e sotme për mediat, Sali Berisha hodhi akuza të forta për kryebashkiakun e Kamzës, Rakip Suli, duke e akuzuar se ka përdorur vrasësin Dan Hutra për të blerë vota. Hutra u arrestua më 1 mars për vrasjen e tre grave dhe plagosjen e tre të tjerave. Berisha vijon me denoncimin e asaj që e quan “farsa e tmerrshme elektorale e 14 Majit”.

Do ju sjell një rast këtu, mesazhin e një qytetari nga Kamza:

Zoti Berisha do t’ju vë në dijeni të një fakti kriminal të masakrës elektorale në Kamëz. Vrasësi famëkeq i grave, Dan Hutra ishte punësuar në ujësjellësin e Kamzës në këmbim të mbledhjes së votave për Rakip Sulin. Vrasësi i grave, natën vidhte banesa kurse ditën vidhte vota dhe kërcënonte me jetë demokratët, që të mos dilnin në votime.

Pas masakrës ndaj grave, Rakip Suli ka zhdukur dosjen e Dan Hutrës. Ka dëshmi dhe fakte se Dan Hutra drejtonte një nga bandat kryesore të mbledhjes së votave për Rakip Sulin.

Në Këshillin Bashkiak të Kamzës ka pasur një propozim për t’i vendosur emrin e Dan Hutrës një rruge në Kamëz. Propozimi u zhduk me shpejtësi nga banda e Bashkisë së Kamzës. Rakip Suli i kishte dhuruar Dan Hutrës në pallatet që po ndërton Arben Maloku, i cili ka bërë një masakër me votat e Zall Herrit.

Dan Hutra figuronte patronazhist i PS-së, kreu i një grupi kokaine në Holandë. Kishte nisur të pastronte paratë në ndërtim. Sot kontrollon trafikun e drogës dhe votave nga burgu. I vetmi i burgosur që shpenzon deri në 5 milion lekë në muaj. Praktikisht, Dan Hutra është drejtori i burgut të Rilindjes.

Ju informoj se në takime të tjera do ketë fakte të tjera, thellësisht tronditëse e që dëshmojnë manipulim në shkallë të paimagjinueshme të procesit zgjedhor.

Këtu fola për blerjen e hapur zyrtare të votave. Nuk u ndala te blerja nën dorë. Blerja nën dorë ka ekzistuar, por kurrë nuk ka ekzistuar në këto përmasa si kësaj here, në të cilën partia e Doshit rritet përfundimisht me 310% krahasuar me vitin 2019. Thashë dhe njëherë, dora-dorës në këtë proces do ju njohim me manipulime monstruoze të Edi Ramës, Çuçit, Veliajt dhe të tjerëve, të procesit elektoral.