Aktualitet Politikë

Berisha: Zgjedhjet vendore rikthyen manipulimin me listat/U ndryshuan qendrat e 1.3 milion zgjedhësve!

Sot në një dalje për mediat, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi Enkelejd Alibeajn se mori 220 mijë euro shpërblim nga Edi Rama. Ndërsa Alibeaj dha dorëheqjen si kryetar i komanduar i Partisë Demokratike e nga kreu i grupit parlamentar, Berisha iu referua atij dhe Lulzim Bashës si dy persona, pengje të Edi Ramës, të përdorur për të goditur opozitën.

Partia Demokratike është e hapur për të gjithë të tjerët, për debat e negociata, për çfarë të dëshirojnë. Ky është qëndrimi ynë, por dy persona pengje të Edi Ramës, u përdorën nga ai, për të goditur opozitën shqiptare.

Unë bëj thirrje t’i lexoni rezultatet me realizëm. PD-së iu mohua logoja, iu mohua kryetari i koalicionit. Kur ishte përgatitur ringu për ndeshjen, me mekanizma alla Putin shpalli veten fitimtar, duke mos lejuar kundërshtarin në ring. Kjo nuk është fitore.

Më tej, shtoi se në zgjedhjet e 14 Majit, u rikthye loja me listat e votimit. Sipas tij, “ndërhyrja e socialistëve në vendore ishte aq e tmerrshme, sa rrëzoi dhe monedhën më të fuqishme të Europës, Euron”.

Blerja e votës nuk u shfaq për herë të parë në farsën e vitit 2023. Ajo është denoncuar nga shqiptarët, mediat shqiptare dhe ndërkombëtare, komisionet e vëzhgimit e në raste të tjera.

Por, në këtë farsë, si kurrë më parë, ndërhyrja ishte e atyre përmasave të tmerrshme sa rrëzoi Euron, monedhën më të fuqishme të Europës, në nivele që ajo nuk i kishte përjetuar kurrë më parë.

Pra, ky është një tipar i industrisë mafioze shtetërore të blerjes së votës.

Por, farsa elektorale e majit 2023, gërshetoi në mënyrën më të shëmtuar dy stile të farsave elektorale. Stilin e narkoshtetit dhe mafies së tij, me stilin Putin, i cili parakupton përdorimin e të gjitha mjeteve të shtetit për kontrollin e votës së lirë të qytetarëve dhe ndryshimin e rezultateve.

Në dallim nga zgjedhjet e mëparshme, në këto zgjedhje u rikthye me të gjithë pasojat e shëmtinë e saj, loja me listat e votimit, përjashtimi i zgjedhësve nga qendrat e votimit nëpërmjet listave të votimit.

PD e denoncoi publikisht aktin kriminal elektoral të Edi Ramës dhe ministrit të familjes së tij, Çuçi, të cilët ndryshuan qendrat e votimit të 1.3 milion zgjedhësve.