Bota Lajmet e fundit

Berlin, bisedime për klimën!

Me botën që po përballet me rënien ekonomike për shkak të pandemisë koronavirus dhe luftës në Ukrainë, zyrtarë të lartë nga 40 shtete takohen sot në Berlin për bisedime mbi mënyrën si të qëndrojnë të fokusuar në luftën ndaj ndryshimeve të klimës. Organizatorët thanë se takimi dyditor është mundësi për të ndërtuar besimin mes shteteve të pasura dhe atyre të varfra, para samitit të Kombeve të Bashkuara për Klimën, që këtë vit mbahet në Egjipt. Në kryeqytetin gjerman, bisedimet vijnë pas atyre teknike të muajit të kaluar që prodhuan pak përparim për çështje kyçe, siç është ndihma për klimën për vendet në zhvillim.

“Shumë nga shtetet më të varfra në botë tani po përjetojnë ndikime të ashpra të klimës”, – tha për Associated Press e dërguara e Gjermanisë për Klimën, Jennifer Morgan.

Pyetja qëndron në atë se si t’i mbështesim këto shtete. Ne duhet të shprehim solidaritetin tonë!

Vendet në zhvillim, ende po presin nga ato të pasura që t’iu ofrojnë 100 miliard dollarë ndihmë për klimën çdo vit, një objektiv që ishte paraparë të arrihej në vitin 2020. Megjithatë, prej kohësh ndotësit e mëdhenj i kanë rezistuar idesë se ata duhet të paguajnë për shkatërrimin që po shkaktojnë emetimet e tyre të gazrave serrë në mbarë botën.

Bisedimet në Berlin që zhvillohen me dyer të mbyllura, do të përfshijnë edhe prezantimin e ekspertëve për “dëmet e humbjet” dhe më pas ministrat e 40 shteteve do të diskutojnë me njëri-tjetrin e do të tentojnë të ndërtojnë besimin para samitit të OKB-së që mbahet në nëntor në Sharm el-Sheik.

Takimi në Berlin vjen në kohën kur shkencëtarët thonë se i nxehti ekstrem, që kryesisht javët e fundit po godet shtetet e hemisferës veriore, mund të bëhet normalja e re gjatë verës, nëse ngrohja globale vazhdon. Po ashtu, në axhendën e bisedimeve do të jenë edhe burimet e energjisë që janë të rrezikuara nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Aktivistët e mjedisit paralajmërojnë kundër përpjekjeve të shteteve, si Gjermania, që të përdorin burimet e lëndëve djegëse fosile për prodhimin e energjisë, duke argumentuar se veprimet e tilla minojnë përpjekjet për klimën.