Rajoni

Berlin, kancelari gjerman Scholz pret sot kryeministrin e Kosovës e presidentin e Serbisë!

Në zyrën e tij në Berlin, kancelari gjerman, Olaf Scholz pret sot kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më pas, presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç. Në qendër të takimeve të ndara, fillimisht me Kurtin, rreth orës 15:00 e më pas me Vuçiçin më 17:30 minuta do të jenë marrëdhëniet Prishtinë-Beograd, bashkëpunimi rajonal, si dhe agresioni rus në Ukrainë, që vijon prej 24 shkurtit. Serbia që njihet si aleate e Rusisë refuzon t’’i bashkohet sanksioneve kundër Moskës.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se “ndër të tjera, takimet do të shërbejnë për të mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga BE-ja”.

Po ashtu, bëhet e ditur se më vonë gjatë natës, Kurti e Vuçiç do të takohen në prani të ndërmjetësuesit të BE-së për çështjen e dialogut, Mirosllav Lajçak. Në Berlin, zyrtari europian shkon me ftesë të kancelarit Scholz.

Takimi në kryeqytetin e Gjermanisë do të jetë i pari mes Kurtit dhe Vuçiçit, që nga korriku i kaluar kur palët biseduan në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk pati arritje konkrete. Në kryeqendrën europiane ka pasur disa përpjekje për të mundësuar bisedime të reja ndërmjet tyre, por deri tani pa shënuar ndonjë sukses.

Më herët, shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell, bëri të ditur se nuk do t’i ftojë liderët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pa pasur tregues të qartë se në një takim të tillë do të shënohet përparim konkret. Qeveria gjermane vazhdimisht po iu kërkon palëve të bëjnë progres në procesin e dialogut. Para udhëtimit për në Berlin, Vuçiç deklaroi:

I druhem bisedimeve me Scholzin dhe se nuk pres që ato të jenë të lehta!

Vuçiç nuk dha më shumë detaje. Ndërkohë, bllokimin në bisedime e kanë shkaktuar mosmarrëveshjet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Në vitin 2013, dy vendet arritën marrëveshje për themelimin e këtij asociacioni, por zbatimi në terren nuk po ecën siç duhet.

Kryeministri Kurti thotë se “në Kosovë nuk mund të ketë asociacion një-etnik”, edhe pse Serbia kërkon formimin e tij. Vazhdimisht, Bashkimi Europian iu bën thirrje palëve, t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura. Prishtina e Beogradi janë të angazhuara në dialog që në vitin 2011 dhe kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre nuk gjejnë zbatim në terren.