Aktualitet

BERZH: Koncesionet PPP e garancitë për KESH-in e OSHEE-në cënojnë stabilitetin fiskal!

“Shqipëria po zbaton një strategji që synon stabilitetin fiskal, por kjo politikë rrezikon të cënohet nga financimi i kontratave koncesionare PPP dhe garancitë buxhetore që qeveria po lëshon ndaj kompanive publike”. Kështu thekson Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH) në raportin e Tranzicionit. Në pjesën e dokumentit për vendin tonë, thuhet:

Strategjia fiskale afatmesme duhet të mobilizojë të ardhura dhe të krijojë hapësirë me më shumë fonde për mbrojtjen sociale. Sa i përket qëndrueshmërisë, strategjia duhet të marrë parasysh rreziqet fiskale që rrjedhin nga partneritetet publiko-private e garancitë për kompanitë publike.

Kërkesa e brendshme dhe zgjerimi i sektorit të turizmit çuan në zgjerimin e ekonomisë me 8.5 për qind më 2021-shin, por ritmi i rritjes u ngadalësua në gjysmën e parë të këtij viti, pasi prodhimi u rrit me 4.2 për qind nga viti në vit.

Këshillat për qeverinë drejtohen te diversifikimi i energjisë së rinovueshme, që të avancohet me shpejt në projektet e energjisë diellore dhe të erës. BERZH rekomandon:

Mjedisi i biznesit duhet të përmirësohet më tej. Masat kryesore të cilave duhet t’u jepet prioritet përfshijnë thjeshtimin e sistemit tatimor e riorganizimin e procedurave tatimore, rritjen e mbështetjes për ndërmarrjet mikro dhe garantimin e sigurisë së shërbimeve të qeverisjes elektronike.

BERZH-i analizoi se zgjerimi ekonomik po ngadalësohet.

Ekonomia u rikuperua me 8.5 për qind në vitin 2021. Zgjerimi vazhdoi në tremujorin e parë të 2022-shit, kur PBB u rrit me 6.5 për qind, por u ngadalësua në tremujorin e dytë në 2.2 për qind, pasi ritmet e rritjes së eksporteve dhe investimeve private ranë.

Rritja e fortë e kredisë për individët me 14 për qind dhe flukset hyrëse të qëndrueshme të remitancave mbështetën konsumin në gjysmën e parë të vitit. Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të lartë të kredisë për kompanitë private, investimet u tkurrën me 7 për qind në tremujorin e dytë.

Eksportet e mallrave vazhduan të rriten në terma realë, por me një ritëm më të moderuar prej 15 për qind, krahasuar me 44 për qind në tremujorin e parë. Në tetë muajt të vitit 2022, hyrjet e turistëve të huaj u rritën me 29 për qind në vit dhe me 16 për qind krahasuar me nivelet para pandemisë, ndërsa tregtia e brendshme shënoi rritje dyshifrore në gjysmën e parë të vitit.

Inflacioni po rritet, por kursi i këmbimit mbetet i qëndrueshëm. I nxitur nga çmimet më të larta globale të ushqimeve dhe naftës së importuar, inflacioni vjetor arriti në 8.1 për qind në shtator 2022. Edhe pse më i ulët se nga mesatarja rajonale, ky nivel inflacioni është më i larti në 20 vitet e fundit dhe rëndon shumë mbi familjet, për të cilat furnizimet thelbësore si ushqimi e shërbimet komunale përkatësisht përbëjnë 42 e 10 për qind të shpenzimeve për konsum.

Deficiti i llogarisë korente u ngushtua në gjysmën e parë të vitit, pasi rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve kompensoi rritjen e importeve, duke mbështetur stabilitetin relativ të kursit të këmbimit.