A Live Night Celebrities Music Showbiz

Besa Kokëdhima: “Familja është vendi më i sigurtë në një botë të zhurmshme dhe të vrullshme!”

Besa Kokëdhima ishte e ftuar ditën e sotme në “A Live Night” në një inga intervistat e rralla të artistes. Ajo na rrëfeu më tepër për fëmijërinë e saj, lidhjen me familjen, dhe çfarë simbolizon ajo për Besën.

Fëmijëria ime ka qenë shumë e lumtur, ka qenë shumëngjyrëshe, ka pasur shumë personazhe në të. Unë kam kaluar disa vite me gjyshen time në Qeparo, dhe atje ishim me shumë kushërinj, mblidheshim të gjithë te gjyshja, me shumë kafshë, me shumë lojëra, me shumë natyrë. Ka qenë shumë e lumtur.

Por si është marrëdhënia e saj me të atin!? Ja çfarë tregon artistja në “A Live Night”!

Marrëdhënia ime me babanë tim është një marrëdhënie thellësisht e ngushtë. Një pjesëz është për shkak se unë kam jetuar një copëzë të fëmijërisë sime në kontekstin zakonor se si ai e ka jetuar. Besoj se kjo është një arsye. Një arsye tjetër është sepse ne kemi disa ngjashmëri karakteriale dhe kemi atë marrëdhënien që pjesën më të madhe të kohës kuptohemi me sy. Kemi qasje të përbashkëta emocionale, jemi të dy njerëz shumë emocional. Për ata që nuk e njohin ai duket pak autoritar, dhe jo lehtësisht i aksesueshëm. Kam dëgjuar njerëz që kështu mendojnë edhe për mua. Edhe pse ata që më njohin e dinë që jam shumë emocionale, jam dhe karakter shumë i fortë edhe pse shumë emocionale.

Mamaja gjithashtu luan një rol shumë të rëndësishëm në jetën e saj. Besa analizon këtë marrëdhënie me të pikërisht në “A Live Night”.

Mami është një natyrë shumë e veçantë. Ka një botë shumë të pasur shpirtërore. Është shumë shakatore. Gjatë jetës së saj i është dashur të mbajë përsipër një peshë shumë të madhe të sfidave të familjes sime, dhe të atyre që babai im ka zgjedhur të jetojë dhe përballojë përgjatë jetës së tij.

Jo vetëm për prindërit, por Besa u shpreh edhe më tepër në lidhje me raportin e saj me motrat.

Jam vajza e parë e prindërve të mi dhe roli ynë është disi, jemi pak aleatë të prindërve tanë. Me Borën ka qenë një marrëdhënie pak më shoqesh me njëra-tjetrën sepse diferenca jonë e moshës është e vogël, edhe pse në rolet familjare diferenca ka qenë shumë më e madhe sesa në vitet që ne kemi në jetë. Bora e ka marrë që herët atë rolin mbrojtës.

Me Erën kam pasur që herët një relacion, e kam ndjerë sikur të ishte pak edhe fëmija im. Ajo është një natyrë shumë e dashur. Ka shumë dashuri brenda vetes dhe është esktremisht e zgjuar.

Familja është vendi më i sigurtë në një botë të zhurmshme dhe të vrullshme.