A Live Night Celebrities Music Showbiz

Besa Kokëdhima zbulon hapat e parë në muzikë në “A Live Night”!

Besa Kokëdhima, në një intervistë si asnjëherë më parë, rrëfen gjithçka nga fëmijëria e saj, karriera, hapat e parë në muzikë e gjithçka tjetër. Por si hyri muzika në jetën e saj?!

Mbaj mend ndoshta 5 vjeç, ndoshta më herët, mblidhja kushërinjtë në fshat. Kisha një gjë që ngjante si mikrofon dhe këndoja për ta. Këndoja kolonat zanore të kukullave, Michael Jackson, Whitney Houston, Queen. Domethënë vërehej te unë që isha shumë e dhënë, këndoja vazhdimisht. E kam vijuar edhe në 8-vjeçare, atje u pikasa nga mësuesja e muzikës, u vendosa në aktivitete artistike, u përzgjodha si soliste. Nuk besoj se në atë kohë kisha një botëkuptim të plotë se çfarë do të thoshte që muzika të ishte profesion. Është si ajo gjëja që ti e di që e do, por nuk e kupton në atë moment saktësisht se çfarë nënkupton ta kesh profesion.

E kanë përkrahur prindërit në këtë rrugëtim drejt muzikës?! Ja çfarë tregon Besa Kokëshima për “A Live Night”!

Kur unë fillova aktivitetet e para, prindërit e mi nuk është se ‘po shkulnin flokët nga gëzimi’. Unë e kuptoj sot pak më ndryshe, sepse kur isha e vogël pyesja pse nuk më mbështesin. Sidomos prindër që nuk janë muzikantë nuk dinë sa talent ka fëmija, e si të sillen. Pasi sigurohen që ke talent, vjen pyetja numër dy, që është sa funksionale është një karrierë e tillë në vendin tonë, si e bën jetën një artist, sepse kur e kthen diçka në profesion, ka plot të dhëna të tjera që duhen konsideruar.

Një artiste me kuptimin e plotë të fjalës, Besa na ka bërë krenarë që herët nëpër botë, teksa gjatë qëndrimit në Angli, ajo ishte e para studente që ka kënduar në një gjuhë që nuk ishte anglisht.

Unë kam ikur për të bërë gjimnazin në Angli. Atje gjithashtu u përfshiva në aktivitete muzikore, në mësime piano, në aktivitete artistike. Muzika në atë moment për mua përveç pasionit, ishte edhe një nevojë, sepse udhëtimi im në atë moment nuk ishte i thjeshtë, ndoshta për shkak të moshës, largësisë me familjen. Jeta atje është pak si nëpër filma, ka bullizëm si nëpër filma. Nuk je plotësisht i mirëpritur në shoqërinë e tyre, përveç faktit që aty ka multikulturalizëm dhe studentë internacionalë. Me vështirësi e gjeta veten, ndjehesha shumë e vetmuar. Kaloja shumë orë duke i rënë pianos, duke kënduar, u përfshiva në aktivitet artistike. Fitova çmimin e parë në Angli dhe isha e vetmja studente që këndova në gjuhën shqipe, ose më saktë që këndoi në një gjuhë që nuk ishte anglisht.