Aktualitet

Besimtarët festojnë Fitër Bajramin, një person tenton të vetëdigjet në shesh

Si në mbarë botën, edhe besimtarët myslimanë në Shqipëri po festojnë Fitër Bajramin, që vjen pas Ramazanit, Muajit të Agjerimit. Në Tiranë, falja e Namazit filloi në orën 05:40 të mëngjesit, në sheshin “Skënderbej”. Besimtarët prezentë kanë mbushur sheshin pas një viti mungese nga pandemia, ku sot kanë respektuar masat anti Covid.
Ndryshe nga viti i kaluar, ceremonia filloi me leximin e Kuranit prej imamit të xhamisë së Ethem Beut dhe vazhdoi me ligjërata, faljen e namazit dhe hytbe. Ceremoni të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të vendit.

Përgjatë 30 ditëve besimtarët myslimanë kanë sakrifikuar duke agjëruar dhe duke kryer ritualet e tyre shpirtërore duke adhuruar krijuesin. Fitër Bajrami është një festë e madhe për ta, e cila finalizohet me drekën tradicionale si dhe me vizitat dhe takimet me familjarët, miqtë dhe të afërmit.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, teksa ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë shprehet se sakrifica dhe devotshmëria e muajit të Ramazanit duhet të jetë shembull i angazhimit për adhurimin e Zotit.

Ceremonia e faljes së Namazit u shoqërua me një incident të pazakontë. Një person ka tentuar të futet mes besimtarëve duke bërë edhe thirrje të tipit si ‘ nuk ka Zot, duhet me ik nga kjo jetë’. 40 vjeçari ishte lyer me benzine dhe dyshohet se kishte qëllim të vetëdigjet. Tashmë burri është shoqëruar në polici ku po merret në pyetje nga uniformat blu rreth ngjarjes.

Por si ndodhi ngjarja?

Mësohet se 40-vjeçari është lyer me benzinë para besimtarëve që po faleshin. Ishin ata që e neutralizuan besimtarin duke shmangur kështu veprimin tragjik deri në momentin që ka ardhur policia.

Dëshmitarët thonë se 40-vjeçari fliste përqart dhe nuk ishte i vetëdijshëm. Ai u kërkon besimtarëve që ta lirojnë por ata i i përgjigjen që duhet të qetësohet dhe të qëndrojë i shtrirë.

Për ngjarjen në fjalë ka bërë një prononcim edhe kryetari i KMSH i cili ka thënë se ngjarja nuk ka lidhje me faljen e namazit të Bajramit. “Sot është ditë feste, ditë gëzimi dhe ngjarje të tilla nuk i shërbejnë mesazhit të kësaj feste. Problemeve mendore të një personi apo kushteve në të cilat ai ndodhet. Incidente të tilla nuk kanë të bëjnë aspak me një besimtar me një mendje të shëndoshë”, ishte reagimi i KMSH.