Rajoni

Besimtarët në Kosovë kremtojnë Fitër Bajramin!

Në Kosovë, manifestimi kryesor për Fitër Bajramin u mbajt në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fati”, në Prishtinë. Në mesazhin për festën, myftiu Naim Tërnava, bëri thirrje për paqe në të gjithë botën. Kleriku vuri në dukje se “në shumë vende ka konflikte dhe për shkak të tyre e pësojnë qytetarët e pafajshëm”.

Lusim Zotin që kudo në botë të mos ketë trazira, të mbretërojë paqja, siguria dhe mirëqenia për të gjithë! Fitër Bajrami mbart mesazhin dhe dashurinë, kultivon respektin për fëmijët, për ata që kanë nevojë, festa e bashkon komunitetin, duke nxitur e kultivuar dhe mirëkuptimin, vlera që e shoqërojnë individin e mbarë shoqërinë. Duhet të jemi unik, për të punuar e forcuar paqen dhe tolerancën për të gjithë. Jemi bashkë në lutje e falënderime, do të jemi bashkë me familjarët tanë, duke uruar njëri tjetrin për këtë festë kaq të madhe.

Festa e Fitër Bajramit pason Muajin e Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, besimtarët agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Tërnava deklaroi se “në dy vitet e fundit, ky ishte Ramazani i parë, që besimtarët e shënuan pa masat kufizuese anti-COVID”, të imponuara nga pandemia e koronavirusit.

Dashtë Zoti që të mos përballemi më me masa kufizuese, të cilat kanë qenë të domosdoshme, por kanë krijuar një lloj distance mes nesh!

Kryeministri Albin Kurti uroi besimtarët myslimanë dhe në një postim në Facebook, shkruan:

Pas një muaji agjërim, vetëpërmbajtje dhe sakrificë, besimtarët myslimanë sot ndajnë gëzimin e Fitër Bajramit. Le të marrim të gjithë nga pak nga përditshmëria e Muajit të Ramazanit dhe ta bëjmë përditshmëri për tërë vitin. Agjërimi le të na bëjë më falënderues për begatitë. Vetëpërmbajtja le të na bëjë më të disiplinuar ndaj lakmisë. Sakrifica le të na bëjë më solidarë me njëri-tjetrin. Me urimin dhe shpresën që agjërimi dhe lutjet tuaja janë pranuar, me fat të gjithëve Fitër Bajrami!

Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, i cili shënohet dy muaj e dhjetë ditë pas të parit, janë festat më të rëndësishme në besimin Islam.