Bota

Biden akuza Putinit: “Po tenton të eliminojë Ukrainën!”

Presidenti amerikan, Joe Biden, akuzon homologun rus, Vladimir Putin se po tenton të “eliminojë” Ukrainën dhe theksoi se “shefi i Kremlinit duhet të paguajë çmim afatgjatë” për pushtimin e këtij shteti. Duke folur sot nga kryeqyteti japonez Tokio, Biden u shpreh se “bombardimet ruse në infrastrukturën civile, si në shkolla, teatro, spitale e muzeume, tregojnë synimin e qartë të Putinit për pushtimin e nisur më 24 shkurt”.

Besoj se Putin dëshiron të eliminojë identitetin e Ukrainës. Ai nuk mund ta pushtojë, por mund të tentojë t’i shkatërrojë identitetin.

Ukraina akuzon Rusinë se është duke kryer mizori me pushtimin e paprovokuar ndërsa Kievi zyrtar ka identifikuar më shumë se 10 mijë krime lufte. Moska e mohon shënjestrimin e civilëve dhe pretendon se raportimet për mizori që prezanton Ukraina, janë të rreme. Para nisjes së luftës, të cilën Putin e konsideron “operacion special ushtarak për çmilitarizimin e Ukrainës”, lideri rus u shpreh për vendin fqinj se “kurrë nuk ka qenë shtet”.

Ukraina është pjesë e historisë, kulturës dhe hapësirës shpirtërore të Rusisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i mbetet qëndrimit se “Putin duhet të paguajë çmim të lartë për barbarizmin e tij në Ukrainë” dhe kjo “për t’u siguruar që shtetet e tjera nuk ndërmarrin hapa të ngjashëm”. Po ashtu, besohet se deklarata e shefit të Shtëpisë së Bardhë ishte dhe një referencë e drejtpërdrejtë për tensionet e vazhdueshme mes Kinës e Tajvanit.

Nesër mbushen plot tre muaj nga dita e fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, me urdhër të Putinit. Luftimet kanë shkatërruar vendin ndërsa të shumtë janë viktimat, mes tyre edhe fëmijë. Aktualisht, ofensiva e Moskës është përqëndruar në lindje të Ukrainës, ndonëse pa shënuar përparim domethënës. Pasi mbajtën të rrethuar për një kohë të gjatë Kievin, por pa arritur të depërtojnë, forcat e Rusisë ndryshuan strategji duke u fokusuar në lindje. Moska përballet me sanksione të forta të Perëndimit.