Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Bota

Biden dhe Johnson zotohen për forcimin e partneritetit!

Kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u zotuan për thellimin dhe forcimin e partneritetit midis vendeve të tyre.

Johnson dhe Biden biseduan sot për herë të parë ballë për ballë.

Takimi u zhvillua në prag të samitit të grupit të vendeve më të industrializuara, G7, i cili i hap punimet të premten në Kornuoll të Anglisë.

Johnson e përshkroi dëshirën e Bidenit për të punuar me Britaninë për një sërë çështjesh – nga ndryshimi i klimës deri te pandemia COVID-19 dhe siguria – si “një nevojë për ajër të pastër”.

“Është diçka e re, është interesante dhe po punojmë shumë së bashku. Biseduam për rreth një orë e 20 minuta, apo më shumë. Ishte një takim i gjatë, i mirë. Mbuluam një gamë të madhe çështjesh”, tha Johnson pas takimit.

Vizita e Bidenit në Evropë është e para jashtë SHBA-së prejse ka marrë detyrën e presidentit në muajin janar.

Pas takimit me Johnsonin, Biden konfirmoi se Shtetet e Bashkuara do të blejnë 500 milionë vaksina kundër koronavirusit dhe se do t’i dhurojnë ato në vendet me të ardhura më të ulëta.

“Donacionet tona me vaksina nuk përfshijnë presion për favore, ose koncesione të mundshme. Po e bëjmë këtë për të shpëtuar jetë”, tha Biden, duke u zotuar se Amerika do të jetë “arsenali i vaksinave” ashtu siç ka qenë “arsenal i demokracisë gjatë Luftës së Dytë Botërore”.