Bota

Biden fjalim prej fituesi; apelon për unitet, Trump: Nisëm procedurat ligjore

Në fjalimin e mbajtur para amerikanëve ish zv.presidenti Joe Biden tha se shifrat tregojnë se do ta fitojë ai garën për presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë demokrati u tregua i kujdesshëm dhe pohoi se nuk ka një deklaratë përfundimtare të fitores, të cilën mund ta japë sot nëse mbyllen numërimet e votave në 6 shtetet e fundit dhe bëri thirrje për unitet dhe qetësi.

Momentalisht vijon procesi në Nevada, Pensilvani, Xhorxha, Arizona, Karolina e Veriut dhe Alaskë. Në dy shtetet e fundit kryeson kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Trump.

Në deklaratën e tij, Joe Biden pohoi gjithashtu se është në rrugën e duhur për të marrë mbi 300 vota të kolegjit elektoral. Ai vlerësoi se do të jetë një mandat për COVID-in, ekonominë, ndryshimin e klimës dhe racizmin sistematik.

Deklaratës së rivalit demokrat, Donald Trump iu përgjigj në Twitter: “Joe Biden nuk duhet të pretendojë pa të drejtë fitoren për zyrën e Presidentit. Unë mund të pretendoj të njëjtën gjë. Procedurat ligjore sapo kanë filluar”.