Bota

Biden: “Ky nuk është një mandat i tretë i Obamës”

Presidenti i zgjedhur në SHBA, Joe Biden, ka dhënë të parën intervistë që pas zgjedhjeve. Duke folur për “NBC”, ai tha se presidenca e tij nuk do të jetë ‘mandati i tretë i Obamës’. Këto komente vijnë pasi shumica e njerëzve që ai ka emëruar në kabinetin e tij janë pjesë e ish-administratës së presidentit Barack Obama.

Biden deklaroi se: “Ky nuk është një mandat i tretë për Obamën. Ne përballemi me një botë krejt tjetër nga ajo që u përballëm gjatë administratës Obama-Biden. Presidenti Trump e ka ndryshuar këtë panoramë”.

“Tranzicioni filloi dhe po zhvillojmë mbledhje pune me skuadrën Covid të Shtëpisë së Bardhë. Gjithashtu jemi duke diskutuar për të shpërndarë vaksinën dhe si ta bëjmë të disponueshme për të gjithë”,- shtoi Biden. Rikujtojmë se Joe Biden, ka paraqitur emërimet për anëtarët e parë të kabinetit të tij.