Aktualitet Bota

Biden mjaftueshëm i shëndetshëm për detyrat e tij, rikandidon sërish në 2024!

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden synon të garojë sërish për president më 2024, në kohën kur mbështetja ndaj tij ka rënë në muajt e fundit, çka ka nxitur pyetje nëse ai është i gatshëm për të garuar për një mandat të dytë.

Biden, 79 vjeçar, ka pësuar një rënie në popullaritet mes amerikanëve, duke bërë që disa demokratë të spekulojnë se ai mund të mos kërkojë një mandat tjetër katërvjeçar.

“Do të kandidojë. Ky është qëllimi i tij”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki

Ajo i ka bërë këto komente në aeroplanin presidencial, teksa Biden është nisur për të marrë pjesë në një organizim me trupat amerikane për Festën e Falënderimeve.

Javën e kaluar, presidenti amerikan i është nënshtruar një ekzaminimi fizik, njëherësh të parin prej kur ka marrë detyrën e presidentit në janar të vitit 2021.

Mjekët kanë thënë se ai është i shëndetshëm për të kryer detyrat e tij.

Një president amerikan mund të mbajë dy mandate katërvjeçare.

Republikani, Donald Trump, 75-vjeçar, i cili është mposhtur nga Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, nuk është deklaruar publikisht nëse do të garojë sërish.