Bota

Biden: Ndërhyjmë ushtarakisht nëse Kina pushton Tajvanin

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke folur nga Japonia, u zotua se do të ndërhynte edhe ushtarakisht për të mbrojtur shtetin ishull nëse sulmohet, një ndryshim i qartë nga politikat afatgjata të Shteteve të Bashkuara për rajonin.

Presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi Kinën se po “luan me zjarrin” në lidhje me qëndrimin e saj për Tajvanin dhe u zotua të ndërhyjë ushtarakisht nëse ishulli pushtohet.

Deklarata e bërë gjatë një dalje për mediat nga Japonia, ku po zhvillon vizitë zyrtare, duket se bie ndesh me qëndrimin e deklaruar të Shteteve të Bashkuara deri tani.

I pyetur nëse SHBA do të mbronte ushtarakisht Tajvanin nëse Kina e pushton atë, ndërkohë që nuk e ka bërë këtë në Ukrainë, Biden u përgjigj:

“Po… ky është zotimi që kemi bërë. Ideja që mund të merret me forcë… nuk është e përshtatshme. Do të shkaktonte pasojë në të gjithë rajonin dhe do të ishte një tjetër veprim, i ngjashëm me atë që ndodhi në Ukrainë”.

Ai hoqi dhe një paralele mes Tajvanit dhe luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Pajtohemi me politikën e Kinës së Bashkuar. Kemi nënshkruar këtë dhe të gjitha marrëveshje shoqëruese prej andej. Por ideja që mund të merret me forcë, nuk është e përshtatshme. Do të trazonte të gjithë rajonin dhe do të ishte veprim i ngjashëm me atë që po ndodh në Ukrainë”.

Kjo deklaratë e presidentit amerikan nxiti reagimin e ashpër të Kinës, duke theksuar se SHBA nuk ka asnjë të drejtë të mbrojë pavarësinë e Tajvanit. Shtëpia e Bardhë sqaroi se nuk ka një ndryshim të politikave sa i përket kësaj çështjeje, përkundër asaj që tha Biden në Japoni.

Kina e konsideron Tajvanin një provincë autonome, e cila duhet të ribashkohet me atdheun. Por ishulli ka qeverinë e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe një ushtri prej 300 mijë trupash aktive. I quajtur zyrtarisht Republika e Kinës, shteti në ishull u formua nga nacionalistët e strehuar aty në përfundim të luftës civile – të zhvilluar pas Luftës II Botërore – në përfundim të së cilës komunistët morën pushtetin në Kinë.