Bota

Biden: “Nuk jemi në luftë me njëri-tjetrin por me virusin”

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden i premton popullit amerikan se do ta mposhtin koronavirusin dhe se jeta do t’i rikthehet normalitetit. Në një mesazh me rastin e “Ditës së Falenderimeve” në Shtetet e Bashkuara, Biden e vuri theksin te uniteti duke deklaruar se “nuk janë në luftë me njëri-tjetrin por me virusin”.

Në Amerikën që rezulton vendi më i goditur në botë nga pandemia, presidenti i zgjedhur iu kërkoi amerikanëve të shmangin udhëtimet gjatë periudhës festive, me afrimin e festave të fundvitit.

“Jeta do të kthehet në normalitet. Ju premtoj. Kjo do të ndodhë. Nuk do të zgjasë përgjithmonë. E kuptoj se sa e vështirë është të heqësh dorë nga traditat familjare. Por është shumë e rëndësishme,”– tha zoti Biden, pasi përshkroi se si ai dhe anëtarët e familjes së tij po festonin veçmas njëri-tjetrit. Presidenti i zgjedhur ka deklaruar se trajtimi i COVID-19 do të jetë përparësia kryesore pas marrjes së detyrës më 20 Janar.