Bota Lajmet e fundit

Biden nuk ndryshon marrëveshjen miliarda USD por “ul kokën” para Macron!

Presidenti francez Emmanuel Macron do ta dërgojë sërish javën e ardhshme ambasadorin e këtij vendi në Shtetet e Bashkuara pasi Presidenti Joe Biden ra dakord që këshillimi me Francën përpara se të njoftonte një pakt sigurie me Australinë, mund të kishte parandaluar një mosmarrëveshje diplomatike.

Javën e kaluar, Parisi tërhoqi ambasadorët nga Shtetet e Bashkuara dhe Australia si dhe akuzoi Biden se e kishte goditur me “thikë pas shpine” pasi Australia hoqi dorë nga një kontratë me Parisin në fushën e mbrojtjes prej 40 miliardë dollarësh për blerjen e nëndetëseve, duke zgjedhur në vend të saj nëndetëset amerikane.

Në një telefonatë mes tyre, dy presidentët Macron dhe Biden ranë dakord të fillojnë konsultime të thella për të rindërtuar besimin mes palëve dhe pritet të takohen në Europë në fund të muajit tetor.

Sipas zyrës së presidentit francez Uashingtoni ishte angazhuar gjithashtu për të rritur mbështetjen për misionet kundër terrorizmit të udhëhequra nga vendet evropiane në rajonin Sahel të Afrikës.

Shtetet e Bashkuara “njohin rëndësinë e një mbrojtjeje më të fortë dhe më të aftë evropiane, që kontribuon pozitivisht në sigurinë transatlantike dhe globale e që plotëson NATO-n”, thuhej në deklaratë. Ndërkohë, asgjë nuk ndryshon nga marrëveshja e SHBA me Australinë për nëndetëset bërthamore, që u kthye në mollë sherri të Francës me Amerikën dhe me Anglinë.