Bota

Biden përshëndet urdhër-arrestin për Putinin!

Presidenti amerikan, Joe Biden përshëndeti vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të lëshuar urdhër-arrestin ndaj homologut rus, Vladimir Putin. Shefi i Kremlinit akuzohet për kryerje të krimeve të luftës në Ukrainë, çka për shefin e Shtëpisë së Bardhë, lideri rus “e ka bërë qartazi”. Pretendimet fokusohen në dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi, prej nisjes së luftës së Moskës në shkurt të vitit 2022. Moska i ka hedhur poshtë këto pretendime duke e cilësuar “fyes” urdhër-arrestin.

Ka shumë pak mundësi që të ketë rezultat nga ky veprim, pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk ka kompetencë për të arrestuar të dyshuarit në Rusi, pa bashkëpunimin me qeverinë ruse.

Rusia nuk është shtet anëtar në këtë gjykatë me seli në Hagë, çka nënkupton se nuk ka autoritet në territorin rus. Por, vendimi mund të prekë Putinin në të tjera mënyra, siç është pamundësia për të udhëtuar në botë. Presidenti rus mund të arrestohet nëse këmba e tij shkel në një prej 123 vendeve anëtare që janë anëtare të gjykatës.

Putin rezulton presidenti i tretë ndaj të cilit është lëshuar urdhër-arrest nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Prokurori Karim Khan tha se “askush nuk e ka menduar që Sllobodan Millosheviç, lideri serb i gjykuar për krime lufte në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë në vitet 1990 do të përfundonte në Hagë për t’u përballur me drejtësinë. Millosheviç ndërroi jetë teksa ishte në proces gjyqësor.

Ata që mendojnë se mund të kryejnë krime gjatë ditës dhe të bëjnë gjumë të mirë natën, ndoshta duhet ta shikojnë historinë.

Fillimisht, gjykata shqyrtoi mundësinë e mbajtjes sekret të urdhër-arrestit, por më pas vendosi ta bëjë publik e të ndalë kryerjen e krimeve të tjera. Aktivistët opozitarë rusë e përshëndetën lajmin për Putinin.

Ivan Zhdanov, aleat i ngushtë i liderit të burgosur opozitar, Aleksei Navalny, tha se urdhër-arresti është “hap simbolik”, por i rëndësishëm. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e falënderoi gjykatën për vendimin, që sipas tij të akuzojë “shtetin djallëzor”.