Bota

Biden: Sanksione të reja ndaj Rusisë, do të ndërmarrim ‘veprime të rënda’ për fajtorët e referendumeve të rreme!

Presidenti amerikan Joe Biden dënoi ashpër deklaratën e presidentit rus Vladimir Putin se katër rajone të Ukrainës do të bëhen territor rus bazuar në referendumet që u mbajtën këtë javë.

Biden i përshkroi pretendimet e Rusisë për aneksimin si “të rreme” dhe që nuk kanë “legjitimitet”. Ai njoftoi gjithashtu sanksione të reja që SHBA-ja dhe aleatët e saj do të vendosin ndaj Rusisë, duke përfshirë kostot për individët dhe subjektet brenda dhe jashtë Rusisë që ofrojnë mbështetje politike ose ekonomike për përpjekjen e aneksimit.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë përpjekjen mashtruese” të Rusisë për të aneksuar pjesë të  territorit sovran  të Ukrainës”, kështu deklaroi presidenti i SHBA-ve Joe Biden duke denoncuar shkeljen e ligjit ndërkombëtar dhe të OKB-së nga Moska.

“Këto veprime nuk kanë legjitimitet,” tha presidenti, duke premtuar se SHBA do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Ukrainës për të rifituar kontrollin e territorit të saj, duke e forcuar atë si ushtarakisht ashtu edhe diplomatikisht, duke përfshirë 1.1 miliardë dollarë ndihmë të re, të ndarë këtë javë.

Lidhur me sanksionet, Departamenti Amerikan i Thesarit thotë se ka në shënjestër “kompleksin ushtarako-industrial” pas luftës në Ukrainë, duke përfshirë dy furnizues ndërkombëtarë, tre drejtues të infrastrukturës financiare të Rusisë, anëtarë të afërt të familjes së disa zyrtarëve të lartë rusë dhe 278 anëtarë të legjislaturës ruse për të mundësuar lëvizin.

“Ne nuk do të qëndrojmë pranë ndërsa Putini përpiqet me mashtrim të aneksojë pjesë të Ukrainës”, tha Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen.

“Departamenti i Thesarit dhe qeveria amerikane po ndërmarrin veprime gjithëpërfshirëse sot për të dobësuar më tej kompleksin industrial ushtarak tashmë të degraduar të Rusisë dhe për të minuar aftësinë e saj për të zhvilluar luftën e saj të paligjshme”.

Yellen shton se SHBA dhe aleatët e saj nuk do të hezitojnë të ndërmarrin “veprime të rënda” kundër njerëzve dhe kompanive brenda dhe jashtë Rusisë, “të cilët janë bashkëfajtorë në këtë luftë dhe në këto referendume të rreme”.