Bota

Biden: Sulmet e mëdha kibernetike në SHBA mund të çojnë në luftë të vërtetë!

Sulmet e mëdha kibernetike në SHBA mund të çojnë në luftë të vërtetë, ka qenë kjo deklarata e presidentit amerikan Joe Biden para komitetit të inteligjencës.

“Nëse përfundojmë në luftë, luftë të vërtetë me të shtëna, me një fuqi të madhe – ajo do të jetë pasojë e sulmeve kibernetike me pasoja të mëdha”, tha Biden.

Ai vuri në dukje një numër në rritje të sulmeve kibernetike kundër agjencive qeveritare dhe industrisë private në SHBA, sulme të cilat janë lidhur me agjenci ruse dhe kineze.

Qindra kompani amerikane janë prekur nga një sulm kibernetik, që është kryer më 2 korrik, kundër kompanisë së teknologjisë Kaseya, me seli në Florida, duke bërë që faqet e tyre të bien.

Në maj, hakerët kanë sulmuar operatorin më të madh të tubacionit të karburanteve në SHBA, Colonial Pipeline, ndërsa në qershor shënjestër e sulmit kibernetik ka qenë kompania më e madhe në botë për përpunimin e mishit, JBS.

Biden ka biseduar me homologun rus, Vladimir Putin, për sigurinë kibernetike gjatë takimit të tyre në Gjenevë, muajin e kaluar, e megjithatë përveç garancisë se do të luftohet një fenomen i tillë nuk është ndërmarrë asnjë hap.