Bota

Biden: Zelensky nuk donte të na dëgjonte mbi mundësinë e pushtimit rus!

Presidenti Joe Biden tha se homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky “nuk donte t’i dëgjonte paralajmërimet amerikane para pushtimit rus të Ukrainës”. “E di se shumë njerëz menduan se po ekzagjeroja, por kishim të dhëna për të mbështetur vlerësimin”, – deklaroi Biden referuar paralajmërimit të tij për mundësinë e një sulmi rus në Ukrainë. “Presidenti rus Vladimir Putin do të hynte në kufi, nuk kishte dyshim, por Zelensky nuk donte ta dëgjonte këtë, as shumë njerëz të tjerë. Unë e kuptoj arsyen”, – u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Alarmin mbi përgatitjet e Rusisë për një pushtim të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan ta jepnin shumë më përpara se Putini të shpallte më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special kundër Ukrainës”. Paralajmërimet u pritën me mosbesim e madje edhe me kritika të ndryshme nga disa aleatë europianë, të cilët në atë kohë mendonin se Shtetet e Bashkuara po tregoheshin shumë alarmante. Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i kërkoi me forcë Bashkimit Europian, që ta fusë vendin e tij drejt rrugës së anëtarësimit.

Në një fjalim video, në takimin e nivelit të lartë mbi Demokracinë që zhvillohet në Kopenhagen, Zelensky tha se “BE-ja duhet të veprojë shpejt për t’i ofruar Ukrainës statusin e vendit kandidat, për t’iu bashkuar Bllokun me 27 vende”.

Sipas kreut të shtetit, “situata e paqartë në të cilën është lënë Ukraina ka nxitur agresionin rus”. Zelensky i kërkoi BE-së të tregojë se “nuk janë boshe fjalët për popullin ukrainas, se është pjesë e familjes europiane”. Më tej, shprehu keqardhjen që ende ka disa skeptikë që ngrejnë pikëpyetje nëse Ukraina duhet të nisë procesin për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Në një tjetër zhvillim, zëvendës shefi i NATO-s, Mircea Geoana theksoi se “nuk sheh asnjë kërcënim të menjëhershëm ushtarak nga Rusia, për Suedinë dhe Finlandën”. Ai shprehu bindjen se “këto dy vende do t’i bashkohen NATO-s, pavarësisht kundërshtimit të Turqisë”. Ankaraja i akuzon për mbështetje të terrorizmit, pasi nuk kanë pranuar të ekstradojnë zyrtarë kurdë që i kërkon për akte terroriste.