Aktualitet

Bie aksidentalisht nga lartësia, humb jetën një punëtor në Tiranë!

Një aksident fatal në punë u regjistrua sot në Tiranë, ku një 50-vjeçar ndërroi jetë pasi ra nga lartësia, teksa punonte në një pallat në ndërtim. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit, në rrugën “Besa” në kryeqytet. Policia njofton se grupi hetimor po vazhdon të punojë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë Tiranë:

Më datë 21.05.2023, rreth orës 08:10, në rrugën “Besa”, në një pallat në ndërtim e sipër, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga lartësia ku ishte duke punuar shtetasi A. B., 50 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Tre ditë më parë, një punëtor 60-vjeç humbi jetën në Vlorë, pasi ra nga një pallat në ndërtim, në zonën e Ujit të Ftohtë. Nga burime policore, u bë e ditur se ra aksidentalisht nga lartësia. Fatkeqësisht nuk mundi t’iu mbijetojë dëmtimeve të rënda e ndërroi jetë në spital.

Më 18 maj, policia e Vlorës njoftonte:

Rreth orës 11:55, në lagjen “Uji i Ftohtë”, shtetasi A. P., rreth 60 vjeç, duke punuar në një pallat në ndërtim, dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga lartësia dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën në spital.

Grupi hetimor vijon veprimet në vendin e ngjarjes, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Po më 18 maj, në Tiranë, një 45-vjeçar mori dëmtime dhe u dërgua në spital pasi duke punuar në një pallat në ndërtim në zonën e Unazës së Re ra në kontakt me energjinë elektrike.

Tiranë/ Informacion paraprak

Më datë 18.05.2023, në Unazë të Re, në një pallat në ndërtim e sipër, shtetasi B. R., 45 vjeç, duke punuar në këtë pallat, ka rënë në kontakt me rrymën elektrike. Si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.